Nga Mentor Nazarko

Formulimi i listave nga partitë kryesore në vend ka hapur shumë debate, të cilat kanë mbetur ende të pambyllura dhe me siguri do të vazhdojnë gjatë. Në këtë prirje për të ruajtur debatin rreth listave dhe mbushësve të tyre ka me siguri peshë qasja jonë kombëtare për të folur më shumë rreth personave sesa rreth ideve dhe programeve, prirje që prej shoqërisë është bartur dhe te politika dhe më pas tek opinionbërësit.

Ka, megjithatë, një qasje rreth listave, apo e frymëzuar nga përbërja e tyre, që nuk është lëvruar. Nuk është se askujt nuk i vjen në mend kjo qasje, por përgjigjja ndaj saj konsiderohet si e ditur. Pyetja në bazë të kësaj qasjeje është: pse vallë të gjithë rendin të bëhen deputetë? Po merremi me këtë rendje të përgjithshme të politikanëve kah një objektivi karriere si ky, dhe jo me një rendje më të kufizuar – pse disa prej tyre duan të bëhen kryeministra dhe s’duan asnjëherë të ikin prej kësaj detyre.

Kjo pyetje e rëndësishme mund të formulohet në shumë versione, por thelbi mbetet i njëjtë. Po e shtrojmë në të gjitha këto versione dhe për secilin po mundohemi të hapim një pistë përgjigjeje, pa pretenduar përgjigje shteruese në fund të këtij shkrimi. Thjesht le të hapet debat në lidhje me këtë përgjigje.

Disa pyetje me thelb të njëjtë

Pse shumica e deputetëve, pasi kanë qenë më shumë se një herë deputetë, nuk duan të heqin dorë nga ky post? Madje edhe kur mosha e tyre bëhet e shkuar, ata duan të mbeten të tillë. Mbaj mend bile se krijoi reaksion të madh lajmi se Dritëro Agolli vendosi të tërhiqej nga Parlamenti para disa mandatesh, sepse si rregull deputetët s’kanë dëshirë të dalin në pension madje.

Pse deputetë të shquar të së majtës kapërcejnë bindjet e tyre politike, nëse kanë pasur të tilla, historinë e tyre të gjatë politike, atë të familjes, miqësitë e tyre dhe vetëm për të ndenjur deputetë kalojnë në kampin tjetër? Ka dhe ndonjë rast të krahut të djathtë, por në këto zgjedhje po shohim të majtët që më 2013-n garojnë në krahun e djathtë. Nuk është shpjegim zhdukja e dallimeve ideologjike midis së majtës dhe së djathtës që po jetojmë në kohërat tona edhe në Shqipëri. Kjo ndarje mund të relativizonte zgjedhjen e zëdhënëses së PD-së, po të besojmë rrëfimin e Ramës për të si dikush që vinte nga një familje e majtë. Dihet se të rinjtë nuk kanë kujtesë personale për bëmat e drejtuesve të dy krahëve të politikës, apo se leximet e tyre ideologjike, ashtu si dashuritë e tyre, janë të ndryshueshme. Por ngjan e çuditshme për më të vjetrit.

Brenda kësaj dileme është dhe tjetra. Shumë prej deputetëve janë profesionistë në një fushë të caktuar, pra as mbeten jashtë tregut të punës në nivele të larta, dhe as vdesin për bukë kur ikin nga Parlamenti. Çfarë i shtyn ata të këmbëngulin me forcë jo publikisht në momentin e formulimit të listave dhe të reagojnë publikisht kur mbeten jashtë tyre?

Kjo pyetje nuk ka në fokus vetëm ata që përjashtohen nga listat, por dhe ata që përfshihen, që rikonfirmohen. Pse në listat e deputetëve gjithmonë e më shumë ka njerëz të biznesit? Kur sistemi zgjedhor ishte maxhoritar ai ngjante si më favorizues për ta, por prirja vazhdon dhe me sistemin e ri, pra krerët e partive vazhdojnë të fusin njerëz të biznesit në listat partiake, madje pa skrupuj ideologjikë se biznesmenët janë si rregull të djathtë dhe një parti e majtë është parti e klasës së varfër. Madje shumë prej këtyre njerëzve të biznesit i kanë ndërruar krahët politikë me lehtësi, gjë që duket dhe sot. Kjo dukuri nuk vjen vetëm pse shefat e politikës kanë nevojë për financimin e fushatave që janë gjithnjë e më të shtrenjta sepse janë gjithmonë e më shumë mediatike apo pse votat dhe blihen, pra duhen para për to. Kjo dukuri është forcuar pse njerëzit e biznesit duan vetë të përfshihen në politikë. Pse e bëjnë këtë sakrificë, kur dihet se me gjithë statusin e privilegjuar ligjor, një deputet fiton shumë më pak sesa çdo biznesmen i suksesshëm i një ndërmarrjeje të vogël? Dikush mund të thotë se kjo është prirje që shihet dhe në Perëndim, dhe Shqipëria po shkon drejt Perëndimit. E vërteta është se prirjet mbase ngjajnë, por nuk janë të njëjta. Në Perëndim, SHBA veçanërisht, politikanët e pasur kanë bërë karrierë normale politike dhe janë profesionistë të shquar në një fushë të caktuar, apo janë pjesë e një familjeje të shquar politikanësh dhe biznesi dhe ligjet e konfliktit të interesit janë shumë të forta. Nuk është ky rasti i Shqipërisë, ku një biznesmen kërcen direkt në nivelin më të lartë të përfaqësimit parlamentar. Ngjan logjike të besosh se njerëzit e biznesit nuk vijnë në politikë për t’u varfëruar, por në rastin më të mirë për të mos humbur asgjë nga çfarë kanë arritur. Apo se kanë dështuar në biznes dhe riparojnë dëmet në politikë? Ekziston dhe dukuria e kundërt, por janë shumë të veçantë ata që ikin prej politikës në emër të karrierës apo të biznesit.

Pse botues të caktuar, gazetarë, aktivistë të shquar socialë vendosin gjithashtu të garojnë në politikë? Këta nuk përfaqësojnë një fluks aq të madh, por gjithsesi, ky fluks është aq i dukshëm, sa të bëhet pjesë e pyetjes që qëndron në themel të këtij shkrimi. Mos vallë janë të bindur se nuk arrijnë të ndikojnë aq sa duhet në llogoret ku janë pro zhvillimit, apo se nuk i shërbejnë aq sa duhet kauzave publike dhe e shohin se mund të ndikojnë efektivisht apo se mund t’i shërbejnë këtyre kauzave vetëm në Parlament? S’ngjan e vërtetë kjo, sepse me sistemin tonë elektoral, me disiplinën e fortë ekzistuese të partive tona, deputeti është në shumë plane veç një numër, dikush që s’ka mundësi të kultivojë unin e vet, veçse në ombrellën e kryetarit. Shikoni zgjedhjen e Presidentit, e cila kushtetutshmërisht duhet të jetë produkt i votës së deputetit, por realisht është produkt i kryetarëve. Nëse do të ishte kështu, se jashtë Parlamentit s’ke asnjë vlerë, ose ke më pak vlerë sesa brenda tij, kjo do të ishte e trishtueshme për strukturën tonë publike: as shoqëria, as mediat nuk mund të ndikojnë dot vendimmarrjen për zhvillim të shoqërisë dhe shtetit.

Përgjigjja jo te statusi ligjor i deputetit

S’gjejmë dot një përgjigje të përbashkët për secilën prej pyetjeve që janë variacion i pyetjes themelore: pse shumëkush sot me çdo kusht do të bëhet apo të rrijë deputet? Kjo përgjigje nuk gjendet me siguri te statusi ligjor i deputetit, i cili në raport me përfaqësuesit e institucioneve të tjera në shumë aspekte është më i garantuari, më i blinduari, madje dhe kur lë detyrën. Sistemi ynë ligjor nuk ka as status ish-presidenti, dhe as status ish-kryeministri, por ama që më 27 qershor ‘91, Parlamenti pluralist menjëherë ka miratuar statusin e deputetit, i cili kudo në Europë, madje dhe në Lindje, afër nesh është ndarë nga ai i ministrit, por te ne jo. Ndoshta kjo përgjigje është e vështirë për t’u gjendur dhe sepse nuk është aq publike sa duhej të ishte. Mbase lidhet me ndikimin okult të tregtueshëm të deputetëve në jetën tonë shtetërore, me përcaktimin e fituesve të tenderëve në këmbim të votës në një votim të rëndësishëm, me peshën e tyre në emërimin e kuadrit policor, në qeverisjen lokale, në trarët e doganave në zonën zgjedhore, në emërime të rëndësishme etj., etj. Pra çdo deputet arrin ta shndërrojë votën e tij në porcion pushteti ekzekutiv që ka vlerë tregtare të madhe.

Cilado qoftë përgjigjja për pyetjen, diçka mund të thuhet me siguri: kjo rendje kaq e ethshme pas pozitës së deputetit ngjan me të vërtetë diçka shumë shqiptare. Dhe këtu gjendet ndoshta dhe një nga arsyet pse i kemi punët më keq se të tjerët në Lindje, se me Perëndimin s’mund të krahasohemi kurrë, duke mos qenë Berisha që na krahason dhe me Hënën.

http://www.panorama.com.al/2013/05/10/pse-kjo-rendje-e-ethshme-per-deputet/