TIRANE, 6 maj 2013– Në vilën e ish-kryeministrit komunist, Mehmet Shehu, ka bashkëjetuar një grua me kombësi të huaj. Ka të ngjarë që shumë e dëgjojnë për të parën herë një fakt të tillë, sepse historia e gruas çeke që ka ndarë çatinë me familjen Shehu, është sa grishëse, aq e pazbardhur në fakte e detaje, ca më pak të trajtuara mediatikisht. Rruga për të shkuar drejt zbardhjes së figurës së Maria Saas ishte e vështirë, për vetë mënyrën se si ka të ngjarë që ky fakt të jetë mbajtur i izoluar edhe brenda familjarëve e pushtetarëve të tjerë që jetonin bashkërisht në zonën e ish-Bllokut. Grishja për të mësuar më shumë rreth saj zuri fill, pasi dëgjuam se eshtrat e saj preheshin në Shqipëri, në Varrezat e Sharrës.
Aty mundëm të gjenim të vetmen fotografi që identifikonte portretin real të Maries, gruas që shërbeu për gati 20 vite në familjen e ish-kryeministrit. Edhe pse një fotografi e vonë, që i përafrohej edhe moshës kur ajo ndërroi jetë, afër të 85-tave, rrëmimi për të gjetur të tjera fotografi që pasuronin arkivin personal të Maries, ishte një mision i pamundur. Situata kishte vetëm një shpjegim: fotot ose duhet të jenë ruajtur me fanatizëm për të mos e kaluar asnjëherë pragun e familjes Shehu, ose të paktën një e vetme duhet të kishte “shpëtuar” në Arkivin Qendror të Shtetit. Pas hulumtimit mes fototekës së “shpëtuar” të familjes së Mehmet Shehut, sërish qëlluam në boshllëk, sepse edhe në arkiv nuk kishte qoftë edhe një foto të vetme të Maria Saas-it. Të paktën, dokumenti i arkivuar që vërteton hyrjen e saj në Shqipëri në vitin 1923, bashkë me listën e individëve të tjerë nënshtetas të huaj, e provon shkeljen e kufirit shqiptar, bashkë me disa elementë të origjinës e identitetit të saj.
Por, detajet e vërteta, ato të prekshme në lidhje me historinë e mistershme të kësaj gruaje me kombësi të huaj, mund ta rrëfenin vetëm ata që kanë bashkëjetuar, qoftë edhe për pak kohë me të. Sa herë flitet për figurën e Mehmet Shehut, historisë së dhjetorit të vitit 1981, bashkë me detajet ende të pazbardhura të (vetë)vrasjes, familjarëve të tij u vishen sërish doza hezitimi dhe mungesë dëshire për t’iu rikthyer të kaluarës. Ali Çeno, ish-truproja personale e Mehmetit, është një prej protagonistëve që zbardh disa fakte interesante në lidhje me Marien dhe mënyrën si ai e ka njohur vetëm një vit përpara se ajo të ndërronte jetë. Të tjera dëshmi vijnë përmes Shqiponja e Duro Shehut… E para është mbesa e ish-kryeministrit që u rrit në shtëpinë e tij bashkë me tre djemtë e familjes, ndërsa i vëllai i Mehmetit, në vazhdën e kujtimeve, ndan me lexuesit episode të pazbardhura nga jeta e gruas çeke që jetonte në familjen Shehu. Nga kërkimet e jashtëzakonshme për të rënë në gjurmët e familjes së saj, te debati i ashpër i Mehmet Shehut me të birin Bashkimin, pas testamentit që Maria kish lënë për trashëgiminë e pensionit të saj.
Nga kujtimet e Duro Shehut, të vëllait të ish-kryeministrit komunist. ‘Mehmeti, gjithë jetën kërkoi familjen e Marias në Çeki’
“Ajo shërbeu 20 vjet në shtëpinë e Mehmetit dhe asnjëherë nuk u mor vesh si u gjend aty”, e nis kështu rrëfimin e tij Duro Shehu, vëllai i ish-kryeministrit, dhënë do kohë më parë për gazetën “Panorama”. Në gjallje të Mehmet Shehut, shumëkush e dinte Marian thjesht si një të afërmen e tij, edhe pse misteri që kishte mbuluar mënyrën si ajo mbërriti në Shqipëri, nuk u bë asnjëherë faktor pengues te njerëzit që ndanë përditshmërinë me gruan çeke. Jo vetëm kishte përftuar mirëfilli traditat dhe zakonet shqiptare, por përvetësimi i gjuhës shqipe ia kishte lehtësuar edhe më tej çështjen e të komunikuarit me familjarët e familjes Shehu, njëherësh edhe praktikat e shërbimit në vilën e ish-kryeministrit. “Mehmeti e respektonte si motrën e vet. Derisa vdiq Maria, ai nuk rreshti së kërkuari njerëzit e saj në Çeki.
Disa herë kishte folur drejtpërdrejt me homologun e vet në Pragë, por kurrë nuk ra në gjurmët e njerëzve të saj”, shton Duro Shehu. Thuajse të gjithë dëshmitarët e gjallë, që kanë mundur ta njohin nga afër gruan e hirshme me origjinë çeke, janë të një mendjeje, dhe njëzëri shumë syresh nuk ngurrojnë të nxjerrin mjaltë nga goja për të përshkruar tipin e Maria Saas. Një grua e paqtë, e mrekullueshme, që ndihej si në shtëpinë e vet me njerëzit e Mehmetit. Në rolin e dados, personit që u mor me mirërritjen e tre djemve të ish-kryeministrit komunist, Maria me mënyrën e të sjellit dhe përkujdesjen e pashoqe, i kishte bërë të gjithë për vete, ndaj ajo gëzonte mirënjohjen dhe respektin reciprok të të gjithë familjarëve, edhe të vetë Mehmet Shehut, i cili e konsideronte si njeri të afërt. Madje, kur vdiq, atë e varrosën në Sharrë, përbri prindërve të Mehmetit, Ismail dhe Sulltana Shehut.
Mbi kokën e varrit, përveç fotografisë, është edhe mbishkrimi “Marie P. Saas (Shehu)”’. Por, nga kërkimi në Varrezat e Sharrës rezultoi që varret e dy prindërve të Mehmetit të ishin zhvendosur në një parcelë në fund të varrezave, ndërsa ai i Marias kish mbetur në të një njëjtin vend. Një varrmihës i vjetër, nga një rreth i Shqipërisë, duke mos dashur të identifikohet, na shpjegon se pas ngjarjes së dhjetorit të vitit 1981, trupat e prindërve të Mehmetit, Ismaili dhe Sulltana, ishin zhvendosur në një tjetër parcelë. Në vazhdën e kujtimeve, Duros i sillet ndërmend një moment specifik në marrëdhëniet e të vëllait, Mehmet Shehut me gruan çeke… “Maria, para se të ndërronte jetë, e la me testament që pensionin e saj ta merrte Bashkimi, djali i vogël i shtëpisë. Në një farë mënyre, ne të gjithë ishim pajtuar me këtë gjest. Por, kur e mori vesh Mehmeti jo vetëm që e ndaloi, por na qortoi rreptë. Boll na ka shërbyer në gjallje, tha ai, pse të na shërbejë edhe pas vdekjes…”.
/Panorama/





