TIRANË, 29 prill 2013 –“Ardhja e Racingerit mund të shënojë edhe një kthesë në qëndrimet politike të shtetit të Vatikanit dhe njëkohësisht të Kishës Katolike, duhet lënë hapur pyetja, nëse ka një lidhje ndërmjet shprehjeve ofenduese të Racingerit dhe të politikës aktuale të Bushit në Irak”.
Ky paragraf anti-Vatikan dhe anti-amerikan, është artikuluar 7 vjet më parë nga Egin Neritan Ceka, aktualisht diplomat shqiptar në Vjenë. E.N. Ceka është i paligjshëm, sipas ligjit shqiptar, për shkak të konfliktit të interesit apo të lidhjes nepotike me ambasadorin shqiptar në Romë, ku ndodhet dhe Selia e Shenjtë.
Me bërjen publike të çështjes “Vesh-shkulja në Vjenë” midis katolikut Edi Rama dhe islamikut Egin Ceka, ku u zbulua se E.N. Ceka ka shfaqur prirje kundër-katolike, mësohet se janë shfaqur shqetësime në qarqet e Kishës Katolike Shqiptare.
or jo më pak të befasuar dhe të fyer janë edhe politikanë të së djathtës të besimit katolik, duke filluar nga kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë Jozefina Topalli, ministri i Punëve të Jashtme Aldo Bumçi, kryetarët e dy prej partive demokristiane deputeti Nikollë Lesi dhe zëvendësministri i Brendshëm Nard Noka etj.
Hapja e hetimit parlamentar do të ketë pasoja dhe për reputacionin e koalicionit të djathtë, pasi do të përmenden dhe qëndrimet anti-katolike të Egin Neritan Cekës, gjë që mund të ndikojë në rrjedhjen e elektoratit të besimit katolik në Shkodër, Malësi të Madhe, Pukë, Mirditë, Lezhë, Laç, Tiranë. Kjo do t’i komprometonte dhe politikanët e këtij besimi sytë e zgjedhësve, por edhe të Vatikanit.
Një shkrim i numrit të 28 prillit 2013 i së përditshmes së njohur vjeneze Der Standard titullohet “Eklat in Wien wird zum Wahlkampfthema in Albanien” (pak a shumë, mund të përkthehet që incidenti i Vjenës [Rama-Ceka] ka të bëjë me fushatën elektorale në Shqipëri).
Në fund të shkrimit, pasi jepen qëndrimet e PD-së, Cekës dhe PS-së, shkrimi mbyllet me konstatimin se, pasi LSI është larguar nga qeveria, parlamenti ndryshoi përbërjen e Komisionit Zgjedhor në favor të qeverisë. Jo vetëm opozita, por edhe BE-ja e ka kritikuar këtë. Në Shqipëri, polarizimi mes dy kampeve është i fortë. Zgjedhjet nuk kanë përmbushur standardet e Bashkimit Evropian.
Nuk është e rastit që “Vesh-shkulja në Vjenë” u denoncua fillimisht nga zëvendësministrja e Punëve të Jashtme Edit Harxhi (kujtojmë se ish-Presidenti Alfred Moisiu nuk e dekretoi si ambasadore në Uashington për shkak të qëndrimeve antiamerikane në shkrime të ndryshme).
Edhe pse u mor personalisht Kryeministri Sali Berisha dhe Bumçi nuk njihet për “trim”, ministri nuk ka pranuar të implikohet dhe të prononcohet për rastin E.N. Ceka.
Po ashtu mësohet se Kisha Katolike Shqiptare është detyruar të përkthejë në latinisht shkrimin e Egin Neritan Cekës për llogari të Vatikanit.
Agjencia e lajmeve “Dyrrah” paraqet për lexuesin versionin e plotë të shkrimit të debatuar kundër papës Racinger.
Nuk përjashtohet që komisioni kuvendar t’i kthehet në bumerang PD-së në fushatë, prandaj mund t’i ndërpresë punimet pas ndonjë reagimi në rrugë diplomatike të Selisë së Shenjtë dhe Romës ose trysnisës politikanëve të besimit katolik.
Papa, fjalët dhe qëllimi
Nga Egin Ceka
E gjithë kjo [çështja e Zotit dhe arsyes e trajtuar në kontekstin e krishterë] m’u kujtua duke lexuar para pak kohësh pjesën e botuar nga profesor Theodore Khoury [Münster] të dialogut, të cilin e kish bërë perandori i ditur bizantin Manueli II Paleologu më 1391 në kampin dimëror të Ankarasë me një pers të edukuar mbi krishtërimin dhe Islamin dhe mbi të vërtetat e të dy feve. Perandori siç duket e ka hedhur në letër dialogun gjatë kohës së rrethimit të Konstantinopojës ndërmjet vitit 1391 dhe 1402; prandaj kuptohet se mendimet e tij janë dhënë në mënyrë shumë më të detajuar sesa përgjigjet e dijetarit pers. Dialogu shtrihet mbi të gjithë hapësirën e sistemit të besimit të përshkruar nga Bibla dhe Kurani dhe sillet sidomos rreth imazhit të Zotit dhe të njeriut, por gjithnjë në mënyrë të domosdoshme rreth raportit të “tre ligjeve”: Dhjatës së Vjetër, Dhjatës së Re dhe Kuranit. Në këtë leksion dua të trajtoj vetëm një pikë, e cila në ndërtimin e dialogut është margjinale, por e cila më ka mahnitur në kontekstin e temës së besimit dhe arsyes dhe i cili më shërben si pikënisje për mendimet e mia mbi këtë temë.
Në dialogun e shtatë të botuar nga profesor Khoury perandori nis të flasë mbi temën e Xhihadit (Luftës së Shenjtë). Perandori sigurisht e dinte, se në Suren 2, 256 thuhet: “Nuk ka dhunë në fe”. Kjo është një prej Sureve të hershme nga koha kur Muhamedi vetë ishte akoma i pafuqishëm dhe i kërcënuar. Por perandori natyrisht i dinte gjithashtu edhe kushtet e zhvilluara më vonë mbi luftën e shenjtë të shkruara në Kuran. Pa u ndalur në detaje si trajtimin e ndryshëm të “pronarëve të librit” dhe të “mosbesimtarëve”, ai iu kthye bashkëbiseduesit të tij në formë habitshëm të ashpër shumë thjeshtë me çështjen qendrore mbi marrëdhënien ndërmjet fesë dhe dhunës. Ai tha: “Më trego, se çfarë të reje ka sjellë Muhamedi, dhe aty do të gjesh vetëm të keqe dhe jonjerëzore si për shembull, që ai ka caktuar të përhapet me shpatë besimi të cilin ai e predikonte”. Pastaj perandori arsyetoi menjëherë, përse përhapja e besimit me dhunë është e paarsyeshme. Ajo është në kundërthënie me qenien e Zotit dhe me qenien e shpirtit. “Zoti nuk gjen kënaqësi tek gjaku, dhe të veprosh kundër arsyes është kundër qenies së Zotit. Besimi është frut i shpirtit, jo i trupit. Pra, kush kërkon të udhëzojë dikë në besim ka nevojë për aftësinë e të folurit mirë dhe mendim të drejtë, por jo dhunë dhe kërcënim… Për të bindur një shpirt të arsyeshëm nuk nevojitet krahu, as arma ose ndonjë mjet tjetër, me të cilin mund të kërcënohet dikush me vdekje…”.
Fjalia vendimtare në këtë argumentim kundër kthimit të fesë me dhunë është: Veprimi kundër arsyes është kundër qenies së Zotit. Theodor Khoury e komenton këtë: Për perandorin si një bizantin të rritur me filozofinë greke kjo fjali është e vetëkuptueshme [evidente]. Përkundrazi, sipas besimit musliman Zoti është absolutisht transhendent. Vullneti i tij nuk është i lidhur pas asnjërës prej kategorive tona, qoftë kjo edhe arsyeja. Më tej Khoury citon një punë të islamologut të njohur francez R. Arnaldez, i cili thekson se Ibn Hazni [në fakt Ibn Hazmi!] shkon aq larg sa të deklarojë, se Zoti nuk është i detyruar t’i përmbahet as fjalës së tij dhe se atë nuk e detyron asgjë që të na shpallë të vërtetën. Nëse ai do të donte, njeriu duhet të bënte edhe idolatri.” [Shkrimi i theksuar nga E.C.]
Jozef Racinger: Besimi, arsyeja dhe universiteti. Kujtime dhe refleksione. Fjalim i mbajtur më 12. shtator 2006 në universitetin e Regensburgut, Gjermani.
“Në këtë moment jam thellësisht i pikëlluar mbi reaksionet të cilat i ka shkaktuar një pasazh i shkurtër nga fjalimi im tek shumë besimtarë islamë.” “Bëhej fjalë për një tekst mesjetar i cili në asnjë mënyrë nuk pasqyron pikëpamjet e mia personale.” [Shkrimi i theksuar nga E.C.]
Jozef Racinger më 17 shtator 2006.
“Ka ndodhur një manipulim i rëndë i tekstit (të Racingerit). Citati i perandorit nga shekulli i 14. ishte vetëm një pjesë nga një fjalim i gjatë, i një afresku të madh të marrëdhënieve ndërmjet arsyes njerëzore dhe historisë së Evropës. Një fjalim kaq i madh dhe programatik është reduktuar në fragmentin e një citati.” Racingerit “i vjen keq që disa pasazhe të fjalimit të tij mund të tingëllonin si ofendim i ndjenjave të besimtarëve myslimanë, dhe që ato u interpretuan në një mënyrë, e cila nuk përputhet me qëllimin e tij.” [Shkrimi i theksuar nga E.C.]
Tarcisio Bertone, sekretar shteti në Vatikan, më 16. shtator 2006.
Fjalët gjykohen sipas qëllimeve. Por cili ishte qëllimi i fjalëve të Jozef Racingerit alias Benedikti XVI gjatë leksionit të mbajtur në universitetin e Regensburgut / Bavari më 12 tetor në vendlindjen e vetë kryebariut të kishës katolike? Cilido të ketë qenë qëllimi i tij, fjalët e tij i kanë rënduar shumë tashmë marrëdhëniet e katolicizmit me botën myslimane. Fjalët e tij mbi Islamin dhe Profetin e Islamit, Muhamedin, e kanë vështirësuar bashkëjetesën në paqe dhe kanë thelluar mosbesimin ndërmjet të krishterëve dhe myslimanëve në Evropë dhe kudo në botë. Nga situata e krijuar prej fjalëve ofenduese të Racingerit, në Perëndim kanë përfituar sidomos ata tifozë të tezës së përplasjes së qytetërimeve, të cilët propagandojnë se myslimanët janë një trup i paintegrueshëm në Evropë. Dallimi ndërmjet këtij konflikti dhe të ashtuquajturit “konflikt i karikaturave” në fillim të vitit është, se tani nuk kemi të bëjmë me disa çunakë të papërgjegjshëm të cilët, pa u menduar gjatë, karikaturat e tyre pa shije ia vunë në dispozicion një gazete populiste të djathtë daneze. Tani kemi të bëjmë me numrin një të një kishe botërore e cila pretendon të jetë në posedimin e së vërtetës universale jo vetëm ndër të krishterët dhe e cila ka një traditë historike shumë të gjatë konflikti me Islamin.
Racingeri bëri një gabim të rëndë politik dhe me të e vuri veten e tij në një pozitë të vështirë. Ai nuk është keqkuptuar nga besimtarët myslimanë, siç nuk lodhen së përsërituri zëdhënësit e tij. Në qendër të fjalëve të tij qëndronte teza se Islami paska një marrëdhënie të veçantë me arsyen, ose më saktë me mosarsyen, dhe me dhunën. Deklarata e Racingerit ishte e qartë. Ai e sheh dhunën jo vetëm si pjesë përbërëse të historisë dhe fesë islame, por si thelbësore dhe qenësore dhe si vullnet të përjetshëm të Profetit Muhamed, i cili paska përhapur fenë e tij me shpatë në dorë. Ndërkohë Racingeri ka deklaruar se citati nga dialogu mes një Cezari bizantin dhe “një persi të edukuar” para më se 600 vjetësh nuk pasqyroka pikëpamjet e tij. Por ishte ai citat i cili sipas vetë fjalëve të Racingerit e ka mahnitur dhe i ka shërbyer si pikënisje për mendimet e tij dhe rrjedhimisht për të nxjerrë tezën e tij qendrore: Në Islam Zoti nuk është i lidhur pas asnjë kategorie, qoftë ajo edhe arsyeja, dhe këtu u sqaroka “rrugëndarja në kuptimin e Zotit dhe të fesë”. Nuk i shkon për hije kryebariut të fshihet pas fjalëve të tufës së tij.
Racingeri e ka këputur citatin e tij komplet nga konteksti historik. Kryqëzatat, të cilat në emër të krishtërimit kishin sjellë për tre shekuj vrasje dhe shkatërrim në botën myslimane dhe nuk ia lanë mangët as Kostantinopojës së krishterë, nuk u përmendën nga Racingeri me asnjë fjalë si keqpërdorim i pashembullt i fesë. Në të vërtetë koncepti i “luftës së shenjtë” e ka burimin tek koncepti i “luftës së drejtë” (bellum iustum). Ky koncept është formuluar nga njëri prej personave më të rëndësishëm për formimin e krishterimit perëndimor: Aurel Augustini (354-430). Augustini konsiderohet nga kisha katolike si shenjt, dhe është edhe një figurë qendrore për shumë protestantë. Por do të ishte papa Urbani i cili në koncilin e Klermontit në vitin 1095 do ta ngrinte nivelin e “luftës së drejtë” në atë të “luftës së shenjtë” (bellum sacrum) duke shpallur njëkohësisht kryqëzatat. Në kontekstin e dhunës dhe të arsyes në fe duhej përmendur patjetër shembulli i Kishës Katolike, e cila ka predikuar luftën e shenjtë si të dashur prej Zotit (Deus le volt!) dhe u ka premtuar kryqtarëve të rënë në luftë kundër “të pafeve” dhe “barbarëve” parajsën. Racingeri do të kishte mjaft material nga historia e kishës së tij për të mbështetur leksionin e tij mbi dhunën dhe joarsyen në fe, p.sh. pjesë nga fjalimi i Urbanit:
“Ata të cilët janë mësuar të bëjnë luftëra të padrejta personale kundër besimtarëve le të nisen tani kundër mosbesimtarëve dhe ta mbarojnë me fitore këtë luftë e cila duhej të ishte nisur shumë kohë përpara. Ata të cilët kanë qenë banditë për shumë kohë le të bëhen tani kalorës. Ata të cilët kanë luftuar kundër vëllezërve dhe të afërmve të tyre le të luftojnë në mënyrën e duhur kundër barbarëve. Ata të cilët kanë shërbyer si mercenarë për pagesë të vogël le të marrin shpërblimin e përjetshëm. Ata të cilët janë zhveshur nga trupi dhe shpirti i tyre le të punojnë tani për një shpërblim të dyfishtë.”
Nuk duhet lënë pa përmendur edhe një fakt historik në kontekstin e citatit të përmendur të Racingerit. Pa diskutuar, nëse përshkrimet e Cezarit bizantin Manuelit II Paleologut janë apo nuk janë objektive, debati ndërmjet tij dhe “persit të edukuar” ndodhi në vjeshtën e vitit 1391 në një kamp ushtarak osman në Ankara, ku Sulltan Bajazidi I e kishte ftuar perandorin vasal të Perandorisë Osmane. Debati u organizua nga vetë sulltani dhe zgjati disa ditë. Vetë kjo situatë e le citatin e Racingerit të ndriçojë në një dritë komplet tjetër, në dritën e një tolerance myslimane, e cila bazohet në debat dhe argumente, dhe jo në përhapjen e fesë me dhunë. Përndryshe perandori bizantin as që do të kish mundur të na raportonte dot për këtë debat pas pikëpamjeve të tij mbi Profetin Muhamed. Për t’u përmendur është edhe fakti se, në shtratin e vdekjes, po ky perandor i la si testament shpirtëror të birit të tij këshillën që, çfarëdo që të bënte, të mos kryente unionin me kishën katolike.
Njëkohësisht Racingeri mund të kishte dhënë për shembull traditën e tolerancës fetare të Islamit dhe myslimanëve, nëse qëllimi i tij është dialogu ndërfetar. Të krishterët dhe çifutët kanë qenë dhe janë edhe sot pjesë e civilizimit islam. Nëse sot kjo pjesë e krishterë ose çifute brenda këtij civilizimi po vjen duke u rralluar, për këtë përgjegjësinë e mbajnë ndër të tjera edhe deklaratat e tipit të Racingerit. Në këtë kontekst citimi i Racingerit duhet kuptuar jo si një fjalim akademik shkencor, por si një nënvizim i anëve pozitive të krishtërimit – të cilat nuk mund të mohohen – në kurriz të asaj që ai e konsideron si të kundërtën e fesë së tij, në kurriz të Islamit dhe myslimanëve.
As shprehjet në lidhje me marrëdhëniet e Islamit me arsyen nuk janë të reja. Lidhja ndërmjet Islamit dhe prapambetjes në njërën anë dhe e Krishtërimit me përparimin në anën tjetër është një vizion i zhvilluar në kohën e kolonializmit në Evropë. Ky vizion rreket ta shpjegojë prapambetjen politike, shoqërore, ekonomike në botën e sotme islame me anë të fesë islame, duke lënë mënjanë aspektet penguese që vetë kolonializmi solli në këtë botë, por ç’është më e rëndësishme duke heshtur faktin se suksesi evropian erdhi veçse pas çlirimit nga dogmatizmi i krishterë.
Është absurde t’i faturosh botës myslimane, të kaluarës dhe të tashmes së saj, një kundërthënie me arsyen, duke pasur parasysh kontributin që kjo botë ka dhënë për filozofinë, matematikën, mjekësinë, astronominë, gjeografinë etj. Problemet aktuale të botës myslimane nuk qendrojnë tek feja, por tek diktaturat të cilat i zotërojnë dhe ia frenojnë zhvillimin shpirtëror dhe material të shoqërive të tyre. Teza, sipas së cilës Islami qenka një fe iracionale, është vetë një tezë iracionale.
Është i gabuar gjithashtu përfytyrimi sipas të cilit myslimanët dhe bota islame sot dokan t’u imponojnë jomyslimanëve logjikën e besimit të tyre, që edhe këta ta konsiderojnë Kuranin dhe Profetin Muhamed si të shenjtë. Një dialog i sinqertë, sado i vështirë, kërkon që jomyslimanët të respektojnë dhe nderojnë atë çfarë është e shenjtë për myslimanët, ashtu siç presin jomyslimanët respekt dhe nderim për ato çfarë ata i kanë të shenjta. Kjo bazë është e dhënë si në Kuran në ato pjesë ku nderohen personat qendrore të krishtërimit, ashtu edhe në qëndrimet e kishës katolike në Vatikanumin e 2. mbi besimet jotëkrishtera: “Kisha katolike nuk hedh poshtë asgjë nga ato që është e vërtetë dhe e shenjtë në këto fe” (Nostra Aetate nr. 2). Por fjalët e shprehura nga Racingeri, të cilat e nënvleftësojnë profetin e Islamit, bien ndesh me shpirtin e këtyre fjalëve. Fjalët e tij janë në kundërshtim me fjalët e koncilit të lartpërmendur, në të cilat u bëhet thirrje të krishterëve dhe myslimanëve në kontekstin e armiqësisë shekullore “ta lenë mënjanë të kaluarën dhe të mundohen për mirëkuptim të sinqertë dhe të anasjelltë” (Nostra Aetate nr. 3). Citati paraqet në fakt vazhdimësinë e një tradite shekullore përgojimi ndaj Profetit Muhamedit që nga Gjon Damaskeni në shek. 7./8., i cili e akuzonte si “profet të rremë”, tek “Legenda aurea” (shek. 13.), e cila e paraqet Profetin si mashtrues, për të mbërritur tek Dantja, i cili e përshkruan si përçarës në rrethin më të thellë të ferrit. Është fakt që kisha katolike ka shprehur në deklaratat e saj fjalë miqësore ndaj myslimanëve, por ajo nuk e ka vlerësuar ose përmendur me emër asnjëherë profetin Muhamed. Racingeri e ka vendosur veten në këtë traditë armiqësie ndaj Islamit me anë të një citati, nga i cili ai deri në këtë moment nuk është distancuar. Ai nuk ka shprehur keqardhje për fjalët që i ka shprehur, por për reagimet e myslimanëve, duke vazhduar kështu t’i akuzojë këta indirekt për keqkuptim dhe iracionalitet. Shtoi kësaj edhe faktin se këtu nuk bëhet fjalë për një lapsus, pasi që përpara leksionit ai është këshilluar nga disa prej bashkëpunëtorëve të tij që të heqë dorë nga përmendja e citatit. Nga ky pozicion është e kotë të flitet për dialog. Myslimanët nuk presin sot gjykimet e Racingerit se si ata duhet të reagojnë ndaj fyerjeve që u bëhen, por distancim të qartë nga ideja ofenduese tek citatet e tij.
Një dialog i sinqertë kërkon të çmontojë në fillim frikën dhe mosbesimin dhe duke pranuar partnerin fetar me anë të respektit dhe nënvizimit të të përbashkëtave, natyrisht pa relativizuar pozicionin përkatës të së vërtetës hyjnore. Por nuk mund të flitet për një dialog, kur nxirren llogaritë e së kaluarës, nënvizohet përparësia e fesë përkatëse duke fyer besimin e partnerit. Natyrisht që një dialog i sinqertë nuk mund të jetë i tillë pa kritikë ndaj partnerit, por për të arritur deri tek kritika duhet përshkuar njëherë rruga e respektit dhe nderimit. Gjithashtu, në kushtet e sotme të globalizimit mediatik duhet pasur kujdes që dialogu ndërfetar të kryhet nga zëra reprezentativë dhe pikat e nxehta, të cilat nuk do të mungojnë, të trajtohen në mënyrë intime. Ose përndryshe le të sqarohen qëllimet dhe pozicionet me të cilat do të kryhen debatet fetare të së ardhmes në formën e disputeve klasike të mesjetës.
Këto ditë ngjarjet e fundit në botën myslimane mbi citatin e Racingerit kanë qenë një “hot story” për mediat perëndimore dhe kanë shërbyer për të nënvizuar edhe njëherë tezën kaq popullore të përplasjes së civilizimeve dhe për ta paraqitur problemin më të fundit brenda një konteksti më të gjerë të një konflikti ndërmjet “Perëndimit” dhe “Islamit”. Në këtë kontekst bota myslimane paraqitet si fëmijë i ofenduar për vogëlsira dhe si e paaftë për dialog. Ndërkohë që konteksti politik dhe shoqëror në të cilin ndodhin protestat në botën islame – lufta e Irakut, lufta e fundit në Liban, shtypja e opozitës në Lindjen e Mesme – mbetet i mjegullt për vëzhguesit në Perëndim, pjesë të gjera të këtij publiku e ndjejnë veten edhe më shumë të vërtetuar në gjithë paragjykimet e tyre: përplasjen e domosdoshme të civilizimeve dhe paaftësinë e myslimanëve për dialog. Këtyre u shtohet edhe efekti unifikues, i cili ndikon tek vëzhguesit perëndimorë të të gjitha identiteteve të mundshme, por pa harruar këtu edhe ata zëra kritikë ndaj insensibilitetit të Racingerit, të cilat nuk kanë munguar të vijnë edhe nga brenda kishës katolike. Në fund të fundit ky imazh i paaftësisë për dialog së bashku me vegimin e një uniteti në perëndim ishin rezultatet – e qëllimta apo të paqëllimta – të fjalëve të Racingerit.
Duke pasur parasysh, se paraardhësi i Racingerit ka mbajtur qëndrime më neutrale ndaj Islamit dhe botës myslimane dhe se ka qenë një kundërshtar i politikës së Xhorxh W. Bushit në Irak, dhe duke thërritur në kujtesë gjithashtu, se ardhja e Racingerit mund të shënojë edhe një kthesë në qëndrimet politike të shtetit të Vatikanit dhe njëkohësisht të Kishës Katolike, duhet lënë hapur pyetja, nëse ka një lidhje ndërmjet shprehjeve ofenduese të Racingerit dhe të politikës aktuale të Bushit. Përpara se të flitet për një dialog do të ishte mire të dihej pozicioni aktual i Racingerit mbi këto pika: Cili është qëndrimi i Racingerit ndaj Islamit, Muhamedit dhe myslimanëve? Cili është qëndrimi i Racingerit në lidhje me armiqësinë shekullore të katolicizmit ndaj Islamit, p.sh. në lidhje me kryqëzatat? Cili është qëndrimi i tij ndaj tezës së përplasjeve të qytetërimeve? Lista e pyetjeve është e hapur …
Vjenë, 24 shtator 2006
http://naimberisha.blogspot.com/2009/01/papa-fjalt-dhe-qllimi.html
/th .m. Agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





