Nga Henri ÇILI

Dje kanë ndodhur dy lajme të rëndësishme për të djathtën: njëri me natyrë unifikuese e tjetri me natyrë përçarëse e dëmtuese. Aleanca e djathtë, një grupim partish të qendrës e të djathta, ka hedhur firmën nën siglën e përbashkët Koalicioni për Punësim, Mirëqenie dhe Integrim. Por një tjetër lajm, gjithashtu i rëndësishëm, i emëtuar në fakt pak orë para koalicionit, ka pushtuar eterin mediatik: Fryma e Re Demokratike e ish-presidentit Bamir Topi nuk do të bëjë pjesë në asnjë koalicion parazgjedhor, që do të thotë në fakt nuk do të jetë pjesë e paktit të djathtë. Këto dy lajme janë shumë të lidhur me njëri-tjetrin dhe përbëjnë një nga ditët më domethënëse për të djathtën shqiptare dhe për Partinë Demokratike.

Domethënës është një term i hapur, është një term që u drejtohet të gjitha mundësive dhe sidomos një mundësie të cilën në radhë të parë Partia Demokratike dhe lideri i saj Sali Berisha duhet ta shfrytëzojnë në funksion të momentumit të ri politik. Cili është ky momentum i ri politik? Duket qartë se kemi një rreshtim të plotë të së majtës në krahun tjetër të spektrit, por nuk kemi një rreshtim të plotë të së djathtës në krahun e vet, ku partia e Bamir Topit, fatkeqësisht, për interesin e saj dhe për interesin publik, është duke kryer njëfarë funksioni prej kamikazi kundrejt të djathtës, po të kemi parasysh kontekstin dhe mënyrën e garimit në sistemin elektoral shqiptar. Dhe, gjithashtu, mënyrën sesi e majta, në tri javët e fundit u rreshtua qartësisht brenda ngjyrës.

Kanë mbetur edhe 60 ditë deri në zgjedhjet e ardhshme, të cilat janë 60 ditët e të gjitha mundësive, ose të të gjitha pamundësive. Mirëpo, përderisa e dimë që politika është arti i të pamundurës, çdo kufizim mund të kthehet në një mundësi dhe anasjelltas çdo mundësi ose oportunitet mund të kthehet në pamundësi. E kam fjalën te mundësia që kjo ditë sinjifikative për të djathtën shqiptare të mund të kthehej në një energji, në një potencial reforme, për të qenë jo vetëm konkurruese dhe fituese në këto zgjedhje, por edhe e dobishme për interesin publik në funksion të ideve të djathta, të liberalizmit ekonomik dhe në funksion të një Shqipërie të zhvilluar.

Duke cituar komentet e disa kolegëve, si Bushati e Nano, them se veprimi i z. Topi ishte kamikaz, jo për atë se sa dëmtoi veten, por se sa dëmtoi rivalin e tij, në këtë rast PD-në. Fatkeqësisht, në realitetin politik shqiptar, rivali luftohet sikur të ishte armik. Ish-presidenti Topi është krejt legjitim në të drejtën e vet që me këtë sistem politik të ndihmojë partinë e vet politike, të kërkojë alternativën e vet politike. Ai është gjithashtu krejtësisht në të drejtën e vet të kërkojë një rol të ri brenda të djathtës, një rikualifikim ose ripozicionim të forcave brenda të djathtës. Nga ana tjetër, këtë nuk mund ta bëjë në mënyrë dëmtuese, të tipit ‘nuk ka rëndësi se çfarë më ndodh mua dhe njerëzve që më pasojnë, e rëndësishme është që dëmtohet Partia Demokratike dhe Sali Berisha’.

Sido që ta emërtojmë daljen në vete të FRD-së, domethënia e saj është dëmtuese për fatin e të djathtës. Sesa do ta dëmtojë, është diçka tjetër, qëllimi është dëmtues, domethënia është dëmtuese. Sesa do ta dëmtojë realisht: a do ta amortizojë Partia Demokratike dhe koalicioni i saj i gjerë këtë dëmtim, kjo është për t’u parë në 60 ditët e ardhshme. Kemi të bëjmë pak a shumë me rastin LSI, në vitin 2005, kundrejt Partisë Socialiste, por me një ndryshim. Në qoftë se në vitin 2005, në rivalitetin Nano-Meta, Nano as që e çonte nëpër mend të bënte një ftesë për Metën, Partia Demokratike reflektoi qartësisht dhe u bëri qartësisht ftesë të hapur të gjitha partive që e konsiderojnë veten të djathta. Për këtë veprimi shmangës i FRD-së është me frymë puro dëmtuese.

Me këtë akt FRD ka dëmtuar në radhë të parë interesin e të djathtës, por ka realizuar një ambicion mes liderëve, që fatkeqësisht shpeshherë sundon vendimet e strukturave tona politike. E ka bërë këtë Berisha kundër interesit të Partisë Demokratike, po e bën Bamir Topi kundër interesit të partisë së vet në radhë të parë, dhe të së djathtës në tërësi. Megjithatë, duke parashikuar mundësitë e një riformatimi, duke pranuar se është një moment i vështirë për PD në pushtet dhe Sali Berishën, është gjithashtu një moment për të reflektuar, është një moment për të reaguar. Sigurisht edhe për të kuptuar moralin e fabulës. Cila është fabula? Duke përdorur një simbolikë nga Roma antike, atë të Cezarit, mund të thuhet se Berisha është pak a shumë Jul Cezari. Të themi, i madh, i shndritshëm, ambicioz dhe përkundër tij, të gjithë u përgatitën në këtë komplot, për t’i ngulur një thikë. E fundit ishte ajo e djeshmja nga një Brut i radhës, që ishte Bamir Topi. Simbolika është sigurisht e ekzagjeruar, jemi në kushtet e politikës moderne dhe kthesa në politikën moderne është e çdo-ditshme, është e çdo-minutshme. Jashtë kësaj nuk mund të kuptohet refuzimi absurd i Frymës së Re Demokratike. Në çdo rast, për interesin e vet e të së djathtës, FRD mund të rreshtohej me koalicionin e djathtë e pas zgjedhjeve të krijonte pozicionin e rivalitetit.

http://www.mapo.al/2013/04/24/domethenia-dhe-pasojat-demtuese-te-vendimit-te-bamir-topit/