Një rast tentative për futjen e sendeve të ndaluara në paraburgimin e Durrësit u godit sot.
Rastin e bën të ditur Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve përmes një njoftimi zyrtar, ku sqaron se bëhet fjalë për dy qese të vogla, të mbështjella me natriban, që dyshohet se përmbajnë lëndë narkotike. Ato ishin fshehur në trupin e një prej familjarëve me iniciale E.V. që kishte shkuar për të takuar një prej të paraburgosurve.
NJOFTIMI:
Sot, më datë 27.04.2026, rreth orës 12:50, në ambientet e IEVP Durrës, gjatë kontrollit fizik të ushtruar ndaj familjarëve, u evidentua një rast i tentativës për futjen e sendeve të ndaluara në institucion.
Nga kontrolli fizik i shtetasit me iniciale E.V., i cili kishte ardhur për takim me familjarin e tij, të paraburgosurin me iniciale E.V , u konstatuan dhe u sekuestruan 2 (dy) qese të vogla, të mbështjella me natriban, që dyshohet se përmbajnë lëndë narkotike, të fshehura në trup.
Menjëherë pas konstatimit:
• u bë bllokimi i sendeve të ndaluara;
• u hartuan procesverbalet përkatëse;
• u njoftua Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm të Burgjeve, për vijimin e veprimeve procedurale.
Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve mbetet e angazhuar maksimalisht për garantimin e rendit dhe sigurisë në institucionet penitenciare, duke goditur çdo tentativë për futjen e sendeve të ndaluara.





