TIRANE, 23 prill 2013 – “Aleanca për punësim, mirëqenie dhe integrim” është aleanca e re e koalicionit e krijuar mes 25 partive të qendrës, qendrës së djathtë dhe të djathtës. Në një ceremoni të veçantw, ku merrnin pjesë drejtues të partive pjesëmarrëse në koalicion, anëtarë të tyre, ministra te kabinetit, si dhe qytetarë mbështetës së këtyre forcave politike, u nënshkrua sot pasdite marrëveshja nga partitë pjeswtare tw koalicionit.

Kryeministri Berisha njëherazi edhe Kryetar i Partisë Demokratike të Shqipërisë  tha se kjo është një ditë shumë e veçantë në historinë politike të vendit, pasi realizohet bashkimi i forcave politike, të cilat kanë në themel të programit të tyre, vlerat më të çmuara të individit, të shoqërisë dhe të kombit. “Ne jemi të lumtur që themelojmë sot Aleancën më të madhe të vlerave në historinë tonë kombëtare.” u shpreh Kryeministri.

“Sot, ne tejkalojmë vitin 92, vit në të cilin ne ishin një lloj fronti, kurse sot paraqitemi si forca politike të strukturuara, si forca politike të cilat kemi operuar mbi platformat tonë në interesin me të mirë të qytetarëve shqiptarë. Ne zgjodhëm si moto të aleancës sonë punësimin e qytetarëve shqiptarë. Puna, pas familjes është bekimi i Zotit për njeriun. Puna është kushti më kryesor i dobisë së tij, i mirëqenies së tij, i shpalosjes së talentit të tij. Ndaj dhe ne jemi të vendosur që të gjitha reformat tona që do të ndërmarrim të kenë si rezultat final punësimin e qytetarëve tanë. Janë ata që krijojnë prosperitetin, janë ata që krijojnë mirëqenien, janë ata që krijojnë lumturinë  e tyre familjare dhe vetjake. Ne do të bëjmë gjithçka tu krijojnë atyre këtë mundësi”,- tha kreu i ekzekutivit.

Sipas Berishës, kurrë Shqipëria s’ka patur një aleancë të tillë të bashkuar, siç ka sot, dhe të gatshme për të çuar vendin drejt një mandati të ri.

“Kjo aleancë do të garantojë një fitore të thellë, do të përsërisë vitin 92, kur hapën rrugën e lirisë për shqiptarët.”- përfundoi kreu i qeverisë.

Pjesë e koalicionit “Aleanca për punësim, mirëqenie dhe integrim” janë këto parti:

Partia Demokratike; Partia Republikane; Partia për Drejtësi dhe Integrim; Lëvizja për Zhvillim Kombëtar, Partia Agrare Ambientaliste; Partia Lidhja Demokristiane; Partia Lëvizja e Legalitetit e Shqipërisë; Partia Aleanca Demokratike Shqiptare, Partia Bashkimi Liberal Demokrat, Partia Demokristiane e Shqipërisë, Partia Balli Kombëtar Demokrat, Partia e Minoritetit Grek për të Ardhmen, Partia e të Drejtave të Mohuara e Re, Partia  Aleanca për Demokraci dhe Solidaritet, Partia Konservatore Shqiptare, Partia Ora e Shqipërisë, Partia Bashkimi Demokrat Shqiptar, Partia Aleanca e Maqenonasve për Integrim Europian, Partia e të Drejtave të Mohuara, Partia Lëvizja Shqipëria e Re, Partia Demokracia e Re, Partia Bashkimi Popullor i Pensionistëve Shqiptarë, Partia Rruga e Vërtetë Shqiptare, Partia Civile e Shqiperise.

/m.b. Agjencia e lajmeve "Dyrrah"/