TIRANE, 23 prill 2013 – Kreu i Partisë Socialiste Edi Rama e ka cilësuar një qendër grumbullimi mbeturinash politike koalicionin e zyrtarizuar sot nga Partia Demokratike, Aleanca për Punësim, Mirëqenie dhe Integrim.
“Ka mbledhur mbeturina gjithfarë. O zot, si mund të mungonte kazani simbol, Lufteri i përjetshëm, që këtë herë ka përpirë edhe Hamzain tonë Kastriot. Në qendër kemi mbeturinat e lartpërmendura,- vijoi më tej Rama,- në mes kemi një PD pa Saliun, që e quajnë FRD, dhe përballë tyre kemi Aleancën për Shqipërinë Evropiane, në të cilën janë përfshirë shumë parti, dhe të tjera priten të na bashkohen”.
Deklaratën e tij Rama e bëri menjëherë pasi nënshkroi marrëveshjen me partinë çame Aleanca Popullore. Duke folur për çështjen çame, Rama tha se është e përfshirë në programin e PS-së, për një Rilindje Shqiptare.
“Bazë e këtij koalicioni është angazhimi programor i Partisë Socialiste për zgjidhjen e çështjes çame”,- tha Rama.
Ndërkohë PS është duke vijuar negociatat e fundit, për përmbylljen e marrëveshjeve me partitë e vogla që do të futen në zgjedhjet e 23 qershorit si pjesë e “Aleancës për Shqipërinë Europiane”.
/m.b. Agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





