DURRES, 23 prill 2013 – Në kuadër të Ditës Botërore të Librit, në odeonin "Nikolin Xhoja" u mbajt auditoriumi “Met Dervishi, 40 vite mes prozës moderne dhe kritikës antikonformiste".
I konceptuar si një bashkëbisedim mes studentëve të fakultetit të edukimit të Universitetit "Aleksandër Mosiu" dhe shkrimtarit Met Dervishi, njëkohësisht pedagog i këtij fakulteti, studentët kanë lexuar pjesë të ndryshme nga romani "Ëndrra e Sandaleve me Gurë Swarovski". Në përzgjedhjet e tyre studentët kishin evidentuar paragrafët apo pjesët më interesante për nga stili dhe mesazhet që ato përcillnin.
Romani paraqet pamje të tranzicionit shqiptar i cili ka prekur jo vetëm sferën politike, por edhe pjesë të tjera të shoqërisë. Nëpërmjet romanit shkrimtari ka dashur të pasqyrojë përpjekjet e të ashtuquajturit metropol shqiptar, i cili sipas tij, në këto 22 vite nga një kryeqytet komunist nuk ia ka dalë të bëhet metropol, por mutropol. Me keqardhje, shkrimtari vëren se aktualisht në vendin tonë ka një kastë që punon për të prodhuar librat best seller që nuk kanë lidhje me letërsinë e vertetë dhe kjo kastë punon për marketingun për librat dhe për gjithçka tjetër.
Shkrimtari thotë në libër se “më zhgënjen fakti se nuk ka vëmendje nga kritika shqiptare mbi atë çfarë ndodh me letërsinë”. Madje ai shkon më tej duke thënë se mediokriteti dhe paaftësia po e mbysin letërsinë tonë. Ky roman është një shenjë revolte ndaj këtij realiteti amoral, ku autori në fund me keqardhje konstaton se metropoli ka vdekur dhe eshtrat e tij mund të shihen nga të gjithë.
/e.a. Agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





