BRUKSEL, 23 prill 2013 – Në kuadër të Ministerialit të NATO-s që po zhvillohet në Bruksel, Ministri i Punëve të Jashtme, Aldo Bumçi ka shtrënguar duart me Sekretarin amerikan të Shtetit, Xhon Keri (John Kerry).
Sipas Ministrisë së Punëve të Jashtme, gjatë këtij dorë-shtrëngimi, u konfirmuan “marrëdhëniet e shkëlqyera dypalëshe”.
Qeveria shqiptare, e vënë në pozitë të vështirë nga qëndrimi amerikan, po përpiqet të krijojë në opinionin publik përshtypjen se marrëdhëniet Tiranë-Uashington janë shumë të mira.
Sipas njoftimit zyrtar, ministri Bumçi arriti t’i shprehë “mirënjohjen Sekretarit Keri për rolin dhe mbështetjen e jashtëzakonshme që SHBA i kanë dhënë Shqipërisë në kuadrin dypalësh, për anëtarësimin në NATO, dhe ndaj çështjes shqiptare në rajon”.
Madje, Bumçi i paska thënë se “shqiptarët ushqejnë ndjenjat më të thella dhe dashamirëse ndaj popullit dhe lidershipit amerikan, duke vënë në dukje edhe rolin e paçmuar mbështetës për arritjen, së fundmi, të marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Republikës së Kosovës dhe asaj të Serbisë”.
Ndërsa shefi i diplomacisë së Tiranës mundi të shqiptojë gjithë këto fjalë, Bumçi nuk ka arritur t’i shkëpusë Kerrit ndonjë deklaratë për Shqipërinë.
Por dikasteri është i lumtur që titullari “ftoi Sekretarin Kerry të vizitojë Tiranën, në një kohë të përshtatshme, çka u mirëprit me kënaqësi nga Sekretari Kerry”.
/th. m. Agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





