TIRANE, 23 prill 2013 – Zëdhënësja e PD-së Laura Vorpsi deklaroi gjatë një konference për shtyp se qeveria do të vazhdojë investimet për ngritjen e terreneve sportive në lagje e shkolla të vendit. Në të njëjtën kohë zëdhënësja e selisë blu akuzoi kryesocialistin Rama se i ka vënë buldozerin ambienteve sportive.
“Dje, kryeministri Berisha inauguroi së bashku me kryetarin e bashkisë një terren sportiv dhe mbolli pemë në një shesh mes pallateve në një lagje të Tiranës. Kryeministri u angazhua se ai e konsideron kujdesin për tokën dhe mjedisin si kujdesi për shëndetin dhe jetën. Në kuadrin e planit kombëtar të zhvillimit të Sportit, qeveria do të mbështesë nismën e krijimit të terreneve sportive në të gjitha blloqet e qyteteve shkollave dhe komunave të vendit. Partia Demokratike beson se rinia duhet të ketë mundësi pa kufij; po kështu edhe mundësinë për të lulëzuar në sporte. Por e vetmja mundësi që shqetëson Z. Rama është kontrolli personal mbi Partinë Socialiste. Prandaj dhe asokohe, si Kryetar i Bashkisë së Tiranës, Z. Rama tregtoi lejet e ndërtimit për përfitime politike. Ai dha “Leje Klientele” për të ndërtuar gradaçela në oborret dhe ambientet sportive të shkollave. Z. Rama i ka futur buldozerin ambienteve sportive në shkolla për përfitime personale politike”, tha Vorpsi.
Sipas Vorpsit Rama i ka shitur lejet e ndërtimit për përfitime politike.
/m.b. Agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





