DURRES, 23 prill 2013– Një grabitje me armë zjarri ka ndodhur pasditen e sotme në rrugën “Aleksandër Goga” në zonën e Porto-Romanos.
Dy persona të armatosur nën kërcënimin e armëve mësohet t’i kenë grabitur automjetin tip Benz me targa AA007CT një çifti nga Shën-Vlashi.
Dy personat, identiteti i të cilëve ende nuk dihet janë larguar me shpejtësi, me automjetin e grabitur, ndërsa çifti ka denoncuar rastin në polici.
Menjëherë në vendin e ngjarjes kanë mbërritur efektiva të policisë, për të kryer veprimet e para hetimore, ndërkohë që janë ngritur dhe postoblloqe policore në rrugët kyçe të qytetit të Durrësit me qëllim neutralizimin e grabitësve.
Policia e Durrësit nuk jep shumë detaje në lidhje me grabitjen, ndërkohë që çifti po merret në pyetje me qëllim zbardhjen e ngjarjes dhe dhënien e informacionit, që mund të ndihmojë policinë për të identifikuar autorët.
(VIJON)
/e.a. Agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





