·        Arkivi i “Dyrrah”-ut / Dokument ekskluziv, aventura drejt Triestes mbi një anije karburanti, kështu Amerika nxiste arratisjen e individëve nga vendet e bllokut lindor

·        Teksa legjenda e futbollit durrsak dhe shqiptar Skënder Jareci dilte kampion me skuadrën Dinamo të Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe merrte kupën si golashënuesi më i mirë i kampionatit, dy kushërinjtë e tij, vëllezërit Suad dhe Adnan Jareci, arratiseshin me një anije karburanti në Itali

DURRËS, 23 prill 2013 – Duke bërë kërkime në arkivin digjital të radios amerikane “Evropa e Lirë” (Free Europe), “Dyrrah”-u hasi në një dokument intrigues të 29 dhjetorit 1955, të përshirë në skedarin për Shqipërinë, ku bëhej fjalë për një nga arratisjet e shumta gjatë regjimit komunist.

E veçanta e këtij dokumenti, që agjencia e lajmeve “Dyrrah” e përkthen për internautët e saj, ka të bëjë me mbiemrin e famshëm Jareci, një nga familjet e mëdha tregtare të Durrësit, por edhe me një ikonë të futbollit shqiptar.

Radioja amerikanë ishte informuar nga zyra e USEP-it (organizëm i qeverisë amerikane për të akomoduar të arratisurit nga vendet komuniste) se dy vëllezër me mbiemrin Jareci, njëri 19 vjeç dhe tjetri 18 vjeç, kishin mbërritur në Trieste të Italisë më 23 tetor 1955, pasi kishin hipur fshehurazi në një tanker italian të ankoruar në portin e Durrësit.

Informacioni thoshte se vëllezërit i kishin pasur prindërit të pasur, por komunistët, sapo morën pushtetin, u konfiskuan pronat.

Madje, për shkak të veprimtarisë antikomuniste, babai i tyre përndiqej nga sigurimi i shtetit dhe ishte arrestuar disa herë.

Kurse dy vëllezërit, me diferencë moshe prej 1 vit e 4 muaj, arritën të mbijetonin me lloj-lloj punësh.

Më 29 dhjetor 1955, kur hartohet ky dokument, të dy vëllezërit ishin vendosur në një kamp refugjatësh në Trieste, në pritje të emigrimit në Amerikë.

Në dokument përmend fakti se “një xhaxha, Maksud Jareci, vdiq në burg pas torturave të policisë”.

Bëhet fjalë për të atin e Mjeshtrit të Madh Skënder Jareci (1931-1985).

Teksa legjenda e futbollit durrsak dhe shqiptar Skënder Jareci dilte kampion me skuadrën Dinamo të Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe merrte kupën si golashënuesi më i mirë i kampionatit, dy kushërinjtë e tij, vëllezërit Suad dhe Adnan Jareci, arratiseshin me një anije karburanti në Itali

Është tejet i bujshëm fakti që Ministria e tmerrshme e Punëve të Brendshme, që kishte nën varësi Sigurimin famëkeq, toleronte një futbollist me biografi “sterrë” (babai i vrarë në burg, kushërinjtë e arratisur).

Me sa duket, krerët e dikasterit, në fillim Mehmet Shehu, e pastaj Kadri Hazbiu, ishin të marrosur nga magjia e lojës së Jarecit, madje, duke e lejuar që 17 vjeç të luante me ekipin përfaqësues dhe të dilte edhe jashtë shtetit.

“Dyrrah”-u boton faksimilen e dokumentit, një etiketë të kampit të USEP-Italia dhe foto nga kushtet e jetesës në kampet e refugjatëve të financuara nga qeveria amerikane.

 

Dokumenti i 29 dhjetorit 1955

 

Nr. 11554/55

AP

Dhjetor 29

VI-671

SHQIPËRIA

DY VËLLEZËR ARRATISEN NGA SHQIPËRIA NË ITALI.

BURIMI NË ROMË: USEP*.

DATA E OBSERVIMIT: Tetor 1955

KOMENT EVOLUIMI: Nuk ka.

Sipas regjistrit të “American Polish War Relief”** dy shqiptarë, Suad dhe Adnan JARECI, lindur në Durrës, përkatësisht më 1 shkurt 1936 dhe 1 qershor 1937, u arratisën në Itali në tetor 1955.

Prindërit e vëllezërve JARECI ishin pasanikë, kur komunistët morën pushtetin u konfiskuan pronat e familjes dhe të dy djemtë bënin lloj-lloj punësh për të siguruar jetesën. Vëllai më i madh ia doli mbanë të bëhej elektricist, kurse i vogli mori zanatin e mekanikut teksa punonte me një mekanik italian, që kishte punësuar qeveria shqiptare ne TIRANË.

Meqenëse familja JARECI ishte antikomuniste, i ati përndiqej dhe u arrestua disa herë. Një xhaxha, Maksud JARECI, vdiq në burg pas torturave të policisë.

Vëllezërit JARECI vendosën të arratiseshin jashtë shtetit, duke hipur në një anije cisternë italiane, që ishte ankoruar në portin e Durrësit. Ata hipën në anije herët në mëngjes dhe kur u siguruan se anija ishte jashtë ujërave territoriale të Shqipërisë njoftuan kapitenin. Kur cisterna mbërriti në TRIESTE më 23 tetor 1955 ata iu dorëzuan autoriteteve të policisë. Aktualisht ndodhen në një kamp refugjatësh në Itali dhe shpresojnë se mund të emigrojnë në SHBA.

Fund

Shënime të “Dyrrah”-ut:

* USEP, iniciale anglisht për “United States Escapee Program”(Programi i qeverisë së SHBA për të Arratisurit). U  krijua në vitin 1952 me një buxhet 4.3 milionë dollarë për të ndihmuar në risistemimin e atyre që arratiseshin në Perëndim nga Evropa lindore komuniste, ku përfshihej nominalisht dhe Shqipëria. USEP-i ishte më shumë se një paketë masash në ndihmë të individëve të arratisur në Evropën Perëndimore. Në atë kohë një zyrtar i Departamentit të Shtetit e përshkroi programin si “fener ndriçues për të shkaktuar dezertime në shkallë të madhe” nga Evropa lindore.

** Agjenci e qeverisë amerikane për të ndihmuar popullin polak gjatë Luftës II Botërore, krijuar në vitin 1939 dhe ka vazhduar veprimtarinë dhe gjatë Luftës së Ftohtë, në ndihmë të të arratisurve nga vendet ish-komuniste.  

/th. m. Agjencia e lajmeve “Dyrrah”/