TIRANE, 23 prill 2013 – Komisioni për Ekonominë dhe Financat mori sot në shqyrtim projektligjin “Për ratifikimin e “Marrëveshjes së Kredisë së Eksportit, ndërmjet Republikës së Shqipërisë, përfaqësuar nga Ministria e Financave dhe Erste Bank der Oesterreichischen Sparkassen AG, për projektin e tatimit elektronik (e-Taxation)”.
Marrëveshja e kredisë së eksportit është miratuar në parim më 9 prill 2013. Duke pasur parasysh se administrata tatimore përballet me sfidat e reja, sidomos në mbështetjen e nismave të reja ligjore me standardet e BE-së, lind nevoja e menjëhershme për një sistem të ri tatimor që do të implementojë kërkesat funksionale dhe ligjore sipas standardeve europiane për të ofruar shërbime bashkëkohore për tatimpaguesit. Blerja e një sistemi të tillë ofron avantazhin e implementimit në një periudhë të shkurtër të kritereve ligjore dhe teknike në kombinim me një shkallë të gjerë fleksibiliteti për ndryshime në të ardhmen, duke ofruar shërbime publike më cilësore dhe me kosto më të ulët.
Po sot, Komisioni për Ekonominë shqyrtoi edhe projektligjin “Për një ndryshim në ligjin nr. 10383, datë 24.2.2011 “Për sigurimin e detyrueshëm të kujdesit shëndetësor në Republikën e Shqipërisë”, si dhe projektligjin “Për miratimin e kontratës së koncesionit ndërmjet Ministrisë së Financave si autoriteti kontraktues dhe shoqërisë Rapiscan Security si koncesionar për financimin ngritjen dhe operimin e shërbimit të skanimit të kontenierëve dhe automjeteve të tjera në Republikën e Shqipërisë dhe tarifës së shërbimit të skanimit”.
Ndër të tjera, ky projekt synon të sigurojë mbështetje të rëndësishme për sistemin doganor dhe sistemin kufitar shqiptar nëpërmjet aplikimit të metodave bashkëkohore dhe do të zbatohet minimalisht në pesë pika doganore kufitare.
Pas diskutimeve në parim dhe nen për nen, anëtarët e komisionit i miratuan edhe në tërësi projektligjet e mësipërme dhe u shprehën dakord për kalimin e tyre në seancë plenare.





