TIRANE, 23 prill 2013 – Komisioni i Ligjeve miratoi sot marrëveshjen për ndërtimin e segmentit rrugor, Qukës-Qafë Plloçë, pjesë e rëndësishme e aksit rrugor Tiranë-Korçë.
Gjatë prezantimit të marrëveshjes në komision, zëvëndësministri i Punëve Publike Ernest Noka tha se kostoja totale e këtij investimi arrin vlerën e 152 milionë dollarëve.
Ndërtimi i segmentit Qukës–Qafë Plloçë është planifikuar të realizohet përmes një investimi të përbashkët të qeverisë shqiptare, Bankës Islamike për Zhvillim dhe Fondit Saudit për Zhvillim. Për këtë investim qeveria shqiptare ka marrë një kredi me vlerë 125 milionë dollarë nga Banka Islamike dhe Fondi Saudit për Zhvillim.
Me përfundimin e kësaj rruge me gjatësi 43 kilometra, pritet që të shkurtohet me 2 orë kohëzgjatja e udhëtimit nga Tiranë në Korçë dhe anasjelltas.
/m.b. Agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





