TIRANE, 23 prill 2013- Një 44-vjeçar ka gjetur në oborrin e shtëpisë së tij një armë zjarri automatik, si dhe një maskë si ato që përdoren për grabitje dhe menjëherë ka lajmëruar Policinë e Tiranës.
E megjithatë, deri në sqarimin e plotë të rrethanave se si këto mjete janë gjetur në avllinë e shtëpisë së tij, në rrugën “Kristaq Cipo”, personi që i ka gjetur, Robert P., do të hetohet në gjendje të lirë nga Policia.
Burimet thanë se në cilësinë e provës materiale janë gjetur një automatik model 56, lyer me bojë të verdhë, me krehër vendosur, 29 fishekë të paplasur, një fishek të paplasur në folenë e armës, një kapuç leshi ngjyrë kafe, me dy vrima të hapura në pjesën e përparme, një xhup sportiv me ngjyrë të zezë dhe një palë tuta pambuku me ngjyrë të zezë “Adidas”.
Personi që i ka gjetur në pjesën e pasme të oborrit të shtëpisë së tij, pretendon se mund t’i kenë hedhur persona të paidentifikuar. Objektet e sekuestruara nga Policia janë dërguar për ekzaminim në Laboratorin Shkencor, pasi dyshohet të jenë përdorur në ndonjë ngjarje kriminale.





