TIRANE, 23 prill 2013- Shtyrja e afatit për regjistrimin e koalicioneve më 24 prill shtyn automatikisht edhe afatin për depozitimin e emrave të kandidatëve për deputetë nga partitë politike. Sipas përllogaritjeve, 50 ditë nga data e zgjedhjeve është e shtuna e 4 majit.
Por, sipas Kodit Civil dhe Kodit Zgjedhor, në rastet e ditëve të pushimit zyrtar, ky afat shtyhet për të hënën 6 majit. Deri në këtë datë, partitë do të kenë mundësi të vendosin për emrat në 12 qarqet e vendit, shkruan sot Panorama.
“Partia politike, që është regjistruar në KQZ si subjekt zgjedhor për zgjedhjet në Kuvend, depoziton në KQZ listën shumemërore të kandidatëve të saj për çdo zonë zgjedhore jo më vonë se 50 ditë para datës së zgjedhjeve”, thuhet në pikën e parë të nenit 67 të Kodit Zgjedhor.
KQZ i heq LSI anëtarët në KZAZ dhe grupet e numërimit
Katër anëtarët e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve do të miratojnë sot kërkesën e paraqitur nga Partia Republikanë, për zëvendësimin e anëtarëve të LSI-së në komisionet e niveleve të dyta të administrimit të zgjedhjeve.
Gjatë mbledhjes së sotme, e cila pritet të zhvilohe rreth orës 14:00, KQZ do të shqyrtojë dhe disa pr/vendime si ai "Për regjistrimin e Komitetit Nismëtar, që do të organizojë punën për paraqitjen e z.Sazan Guri si kandidat i propozuar nga zgjedhësit në Zonën Zgjedhore Tiranë, për zgjedhjet për Kuvendin"; "Raportin e audituesit mbi verifikimin e veprimeve në bazën e të dhënave të Regjistrit Kombëtar të Gjendjes Civile, për periudhën 3 mars -3 prill 2013".
Pas vendimit të LSI-së, e cila deklaroi largimin e saj nga grupi i partive që i përkasin shumicës parlamentare, ka ndryshuar dhe renditja e forcave politike, sipas numrit të mandateve të fituara në zgjedhjet e fundit (2009). Kështu, pas PD-së, partitë që i përkasin grupit të partive të shumicës parlamentare, janë PR dhe PDIU. Këto dy parti kanë numër të njëjtë mandatesh dhe KQZ nuk mund të përcaktojë nga ky kriter se cila prej tyre do të ketë të drejtë të paraqesë propozime për anëtarë në KZAZ.
Sipas vendimit të KQZ-së për shpalljen e rezultatit përfundimtar të zgjedhjeve të vitit 2009, rezulton se PR ka fituar në shkallë vendi 31.990 vota dhe PDIU ka fituar 14.477 vota. Ky rezultat e nxjerr PR-në partinë e dytë të shumicës parlamentare, e cila sipas kodit zgjedhor ka të drejtë të paraqesë propozime për anëtar në KZAZ.





