Një grup prindërish në Britaninë e Madhe kanë vendosur që të gjurmojë vetë pedofilët.

Lajmi për grupin, që e quan veten “Letzo hunting” (shkojmë të gjuajmë), po bën xhiron e botës.

Taktikat e këtyre prindërve kanë sjellë arrestimin e gjashtë pedofilëve deri më tani.

Prindërit kanë hapur dhjetëra profile online në faqet sociale ose në faqet e lidhjeve, duke pretenduar se janë vajza të vogla.

Ata shkëmbejnë mesazhe me pedofilët, ndonjëherë për javë me radhë, përpara se t’i ftojnë për takim në park ose në zona të tjera publike.

Prindërit, të cilët janë të stërvitur në arte marciale, e fotografojnë momentin kur përballen me pedofilët.

Por policia thotë se një praktikë e tillë po kërcënon hetimet e tyre për rastet e pedofilëve.

Ata thonë po ashtu se kjo dëmton shanset për të pasur sukses në gjykatë.

Edhe organizatat për mbrojtjen e fëmijëve thonë se gjurmimi i pedofilëve duhet të kryhet nga autoritetet përkatëse.

Lideri i grupit të prindërve, i quajtur Scumm Buster, duke folur për Daily Mail, thotë se punon në industrinë e sigurisë.

Ai thotë se kanë ngritur 84 profile online për të kapur pedofilët. Sipas tij, ata kanë kapur në grackë nëntë pedofilë, gjashtë nga të cilët janë arrestuar.

Në shtatë raste ata i kanë rrahur pedofilët.

Pamjet e pedofilëve hidhen në faqen online. Sapo ata arrestohen, pamjet fshihen.

Aktualisht ata po monitorojnë 50 meshkuj. Scumm Buster thotë se mesazhet e tyre janë shokuese.