MAKHACHKALA, 21 prill 2013– Nëna e dy terroristëve të maratonës së Bostonit, Zubeidat Tsarnaeva, shfajëson të bijtë në lidhje me atentatin. "Janë mashtruar e futur në kurth. Është e pamundur që të kenë vepruar në atë mënyrë. Djali im i vogël jeton në Shtetet e Bashkuara që kur ishte 8 vjeç, i madhi është edukuar më së miri. Në shtëpinë tonë askush nuk ka folur për terrorizëm",-shprehet ajo.
Sipas Zubeidat Tamerlani kishte 3-5 vjet që kontrollohej nga FBI-ja amerikane e i kishte thënë se kontrollonin dhe faqet, ku navigonte në internet. "Si mund të ndodhte kjo kur ata kontrollonin çdo hap të tij?!",-shprehet nëna e tyre, sipas të cilës djemtë e saj janë të pafajshëm. Sipas medias ruse, të dy prindërit jetojnë në Makhachkala, në republikën e Dagestanit, në kufi me Çeçeninë.
"U ktheva në atdhe për të vdekur",-deklaroi në një intervistë me telefon i ati i dy autorëve të sulmit në maratonën e Bostonit, i cili shpjegon se ka pasur një hematomë në tru. Media ruse bën të ditur se ai ka punuar si avokat në Rusi dhe si mekanik automobilash në Shtetet e Bashkuara.
Zyrtarë të qeverisë amerikane thanë se vëllezërit nuk ishin militantë nën mbikëqyrje. Por FBI-së në një deklaratë të premten bëri të ditur se në vitin 2011 kishte marrë në pyetje Tamerlanin me kërkesë të një qeverie të huaj.





