DURRËS, 20 prill 2013- Mesditën e sotme, dy depozita të mbushura me karburant janë përfshirë nga flakët, ndërsa në rrezik kanë qenë dhe disa depozita të tjera.
Zjarri ka rënë në fshatin Sallmone të komunës Xhafzotaj në Durrës, vetëm pak metra larg autostradës Titanë-Durrës.
Vatra e zjarrit është shfaqur në mjediset e firmës Gjyzeli, në të cilën gjendeshin edhe depozita të tjera, të cilat ishin të mbushura me karburant dhe që kanë marrë flakë dy prej tyre njëra pas tjetrës.
Forca të shumta të policisë zjarrfikëse kanë mbërritur në vendin e ngjarjes, ndërkohë që në ndihmë të stacionit zjarrfikës të Durrësit kanë ardhur edhe automjetet e portit dhe stacionit zjarrfikës nga Kavaja e Tirana.
Për shkak të flakëve të mëdha dhe tymit të dendur fillimisht janë rrezikuar banesat pranë, por me ndërhyrjen e shpejtë të zjarrfikësve, situata është normalizuar.
Nga ana e forcave të policisë është bërë i mundur gjithashtu evakuimi i banorëve si dhe izolimi i zonës në një distacë prej 1km nga zona e rrezikuar.
Në gadishmëri kanë qenë edhe auomjetet e spitalit të Durrësit, por mësohet se nga flakët e zjarrit nuk ka pasur persona të lënduar.
Nuk dihet ende shkaku i rënies së zjarrit, por polcia e Durrësit bashkë me ekspertët kundër zjarrit kanë nisur hetimet në vendngjarje.
Dëmi i shkaktuar nga djegia e depozitave me karburant është i madh, por akoma nuk ka një bilanc për të.
Në vendngjarje ndodhet sekretari i Prefekturës z. Dilaver Tepelena dhe autoritete të tjera, të cilët po monitorojnë situatën e rëndë që është krijuar në vendngjarje.





