TIRANË – Kryeministri Sali Berisha premtoi gjatë një bashkëbisedimi me sportistë dhe studentë të disiplinave sportive se qeveria do të krijojë kushte optimale që të rinjtë të stërviten dhe të performojnë me dinjitet në gara kombëtare dhe ndërkombëtare. "Në 4 vitet që vijnë ne do t’i japim një mbështetje të fuqishme zhvillimit të sportit në Shqipëri",- theksoi kreu i ekzekutivit.
"Përpjekje janë bërë këto vite për zhvillimin e sportit. Pak vite më parë ne përuruam këtë universitet duke besuar se ai ka një rol thelbësor në formimin e mësuesve e pedagogëve, nxënësve e studentëve. Ne kemi rritur financimet për federatat sportive, për stadiumet dhe terrenet sportive. Disa arritje janë të lakmueshme, por të tjera janë plotësisht të mundshme për tu realizuar në 4 vitet që vijnë",- tha kryeministri Berisha.
Kryeministri Berisha ftoi studentët që të japin sugjerimet e tyre për hartimin e një programi për sportin që të jetë në lartësitë e ambicieve të tyre.
/m.b. Agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





