PRISHTINE, 20 prill 2013 – Përmes një deklarate dërguar mediave lëvizja Vetëvendosje thekson se marrëveshja e arritur dje në Bruksel është marrëveshje personale e Thaçit dhe se ajo nuk duhet të bëhet edhe marrëveshje e Kosovës me Serbinë.
“Me këto 15 pika Prishtina dhe Beogradi zyrtar e ndajnë pushtetin dhe sovranitetin mbi Kosovën. Marrëdhënia ndërmjet shtetit të Kosovës dhe këtij Asociacioni serb që u formua nga Thaçi e Daçiç është e ngjashme me marrëdhënien ndërmjet shtetit të Bosnjës dhe Republika Srpska-s atje. Praktikisht, veriu i Mitrovicës po bëhet si Banja Lluka ndërkaq Graçanica si Pale. Me këtë Asociacion nuk po i bashkohet veriu i Kosovës komunave të Ahtisaarit në jug të Ibrit por anasjelltas. Shteti i Kosovës nuk do të mund të funksionojë kështu”,- thuhet në deklaratën e Vetvendosjes.
Nga ana tjetër në deklaratë vetvendosje vë theksin në mos publikimin e pikave të marrëveshjes të cilat u nënshkruan nga të dyja palët. “Asnjë tekst asnjëherë nuk u publikua deri dje. Po ashtu, kryetari i Komisionit për Punë të Jashtme të Kuvendit të Republikës së Kosovës, Albin Kurti, në emër të Komisionit dhe me pajtimin e të gjithë anëtarëve të tij, me datë 11 shkurt 2013 e ka ftuar kryeministrin Thaçi që të vijë e të raportojë në KPJ. Sot e kësaj dite, në më shumë se dy muaj më vonë ai as që ka marrë përgjigje për këtë. Ky është dialogu më jotransparent në historinë e Kosovës. Dialogu politik i Thaçit i sakrifikoi edhe shqiptarët në veri të Ibrit edhe ata në Preshevë, Medvegjë e Bujanoc për hir të pushtetit të këtij në Prishtinë. Po ashtu, për më pak se një vit, Thaçi me këtë dialog ua ka mundësuar rehabilitimin politik, ndërkombëtar e historik kriminelëve Daçiç, Nikoliç e Vuçiç. Ky jo vetëm që nuk po i ndihmon shtetit të Kosovës e po e rrënon atë, por po i ndihmon shtetit të Serbisë dhe figurave më të errëta atje”, vijon më tej deklarata.





