TIRANË, 20 prill 2013 – Partia Demokratike akuzoi kryetarin e PS-së Edi Rama se po vazhdon bllokadën e Shqipërisë drejt integrimit europian. 

Zëdhënësja e PD-së, Laura Vorpsi tha se "tani ka mbetur vetëm kalimi i tre ligjeve të cilat vazhdojnë të bllokohen nga z. Rama. Ne do të bëjmë çmos që të tejkalojmë edhe këtë bllokadë, sepse ne besojmë se çdo i ri duhet të ketë mundësi pa kufij. Por e vetmja zgjedhje për të cilën interesohet z. Rama është të mbrojë pushtetin e tij në krye të Partisë Socialiste".

Më tej zëdhënësja Vorpsi nënvizoi edhe njëherë angazhimin e PD për të bërë realitet integrimin në BE në mënyrë që “të rinjtë të jenë në gjendje të përfitojnë nga të gjitha të mirat që vijnë bashkë me integrimin në Europë si trajnimet profesionale jashtë vendit, Master-at dhe Doktoraturat në universitetet Europiane dhe dhjetëra e mijëra vende të reja pune këtu në Shqipëri".

/m.b. Agjencia e lajmeve “Dyrrah”/