KORÇE, 20 prill 2013 – Shkon për të fjetur në shtëpinë e shoqes së klasës, i vjedh bizhuteritë e familjes me vlerë rreth 300 mijë lekë. Ngjarja ndodhi në lagjen Nr.3 të Korçës, ndërsa e zonja e shtëpisë ka kryer denoncimin në Polici për shoqen e vajzës së saj. S. Shamo, emigrante në shtetin grek, bashkë me bashkëshortin e saj, rreth dy javë më parë kishte lënë vajzën në shtëpi dhe ishte larguar në një qytet tjetër për shkak se kishin pasur një fatkeqësi familjare.
Ajo nuk e ka vënë re se i mungonin bizhuteritë e arit sapo është kthyer. Por, dy javë më vonë, teksa kërkonte një varëse floriri, ka vënë re se në vendin ku i ruante nuk kishte asgjë. E alarmuar gruaja ka folur me të bijën. I vetmi person i huaj që ishte futur në banesë ishte shoqja e saj e klasës, 18-vjeçarja K.L. Pasi ka bërë denoncimin, policia nisi procedimin penal në gjendje të lirë për 18-vjeçaren, për veprën penale “vjedhje”, si dhe për shtetasin N.D., 22 vjeç, për veprën penale “moskallëzim krimi”.
Kjo pasi si rezultat i punës së bërë, autore e vjedhjes rezultoi shtetasja e mësipërme (mike në familjen e kallëzueses), ndërsa bizhuteritë ia ka dhënë për t’i shitur të dashurit të saj N.D.
“Bizhuteritë vlenin të paktën 3 milionë lekë të vjetër. Janë kujtime, dhurata dhe përveç vlerës monetare, kanë edhe atë morale. Por pasi bëra denoncimin, kam marrë kërcënime për jetën, telefoni i vajzës sime nuk ka pushuar për asnjë moment. Shkova për të vënë në dijeni edhe policinë, por nuk më dhanë asnjë zgjidhje. Tashmë ndjehemi të kërcënuar”, u shpreh dje 45-vjeçarja.





