LEZHË, 20 prill 2013- Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim ka zhvilluar sot një takim me simpatizantët e tij në Lezhë, nga ku ka folur edhe njëherë për koalicionin me Partinë Socialiste.
Meta ka nënvizuar se ky koalicion nuk u krijua për t’ju kundërvëmë PD-së, por për t’i hapur rrugë ndryshimit.
“Koalicioni i LSI me PS nuk është një koalicion kundra PD, por për t’i hapur rrugë ndryshimit”, tha ai.
Kreu i LSI tha ndër të tjera se më 23 qershor politika do jetë e bashkuar. “Edhe ndërkombëtarët po na bëjnë thirrje që të jemi të bashkuar”, shtoi ai.
Nga Lezha, kryetari I LSI-së komentoi edhe situatën e krijuar në KQZ pas lirimit të anëtarit të LSI-së Ilirian Muho që pasoi me dorëheqjen e dy anëtarëve të tjerë, Denar Biba dhe Albana Shtylla. Sipas tij, Berisha është duke vazhduar avazin e vjetër.
“Berisha nuk po ngrihet mbi përgjegjësitë e kërkuara, vazhdon avazin e vjetër, prandaj le të ikë sa më parë . Ikja e Berishës të jetë me sa më pak dhimbje”, tha Meta ndërsa u shpreh i sigurtë se, ‘Më 23 qershor fiton koalicioni i majtë pa diskutim”.





