TIRANË, 20 prill 2013 – Ndërsa kryeministri dhe kryetar i PD-së Sali Berisha përuroi, më 20 prill 2013, themelet e Xhamisë së Madhe të Tiranës, një ditë më parë, më 19 prill 20213, KQZ-ja vendosi të mos regjistronte subjektin “Partia Demokratike e Bashkimit Mysliman të Shqipërisë”.

Qëndrime paragjykuese

Në kuadrin e fushatës elektorale, Kryeministri dhe kryetari i PD-së Sali Berisha përshëndeti më 20 prill 2013 nisjen e punimeve për ndërtimin e xhamisë së re të Tiranës, duke e  cilësuar këtë ditë të rëndësishme për besimtarët myslimanë shqiptarë dhe rivendosje e së drejtës së tyre.

Tërthorazi Berisha sulmoi ish-kryetarin e bashkisë së Tiranës dhe kryetar të PS Edi Rama për “qëndrime paragjykuese”, “qëndrime të inspiruara kryekëput nga ateizmi dhe ideologjitë e tij, të cilat penguan për 20 vjet ndërtimin e kësaj xhamie, kaq shumë të domosdoshme për besimtarët myslimanë të qytetit të Tiranës, por edhe si një detyrim i madh për të rivendosur  të drejtat e shkelmuara, në vendin që meritojnë”.

Durimi

Nga ana tjetër, për të shmangur çdo reagim të mundshëm për moskthimin e pronave dhe xhamive të Komunitetit Mysliman Shqiptar (vetëm në nën-qarkun e Durrësit numërohen 30 të tilla), Berisha iu drejtua, në formë ndjese, kreut të tij, Haxhi Hafiz Selim Muça: “Ju nuk keni pasur ndihmën e madhe që keni merituar”.

Kreu i PD-së e merr me të mirë ish-inxhinierin: “Por ajo çka kam admiruar në mënyrë të jashtëzakonshme është durimi, dialogu, vendosmëria për të çuar përpara e për të përfaqësuar me dinjitet çështjen e besimtarëve që ju përfaqësoni”.

Me sa duket, shefi i mazhorancës është informuar për pakënaqësitë në bashkësinë islame për diskriminimin e një partie politike myslimane nga KQZ-ja një ditë më parë.

Vonesa treditore

Më 19 prill 2013, Departamenti Amerikan i Shtetit njoftoi opinionin publik ndërkombëtar në raportin e vet për Shqipërinë se Komisioni Qendror i Zgjedhjeve është “thellësisht partiak”.

Ka ngjallur dyshime “djegia” për tejkalim të afateve të regjistrimit, prej tri ditësh, të një partie të koalicionit opozitar.

Komisioni Qendror Zgjedhor, po më 19 prill 2013, me vetëm 4 nga 7 anëtarë, e përligji mosregjistrimin e subjektit “Partia Demokratike e Bashkimit Mysliman të Shqipërisë” (PDBMSH) me arsyetimin se kjo parti është regjistruar më 17 prill, ndërkohë që afati maksimal ka qenë data 14 prill.

Parti e qendrës

Qysh më 20 dhjetor 2007 një grup nismëtarësh-anëtarë themelues janë mbledhur dhe, pas një diskutimi të gjerë, kanë vendosur krijimin e PDBMSH-së, miratuan akt-themelimin, statutin dhe programin e saj, si dhe u zgjodhën organet drejtuese, por gjykata e Tiranës e ka regjistruar më 4 korrik 2008.

Drejtuesit e saj e konsiderojnë parti të qendrës, me orientim drejt Bashkimit Evropian dhe NATO-s.

Sipas statutit dhe programit të partisë, demokratët myslimanë shqiptarë do të mbajnë lidhje me të gjitha ato parti brenda dhe jashtë vendit, që respektojnë parimet dhe vlerat e demokracisë së zhvilluar.

/ th. m. Agjencia e lajmeve “Dyrrah”/