DURRES, 20 prill 2013– Gjykata e Durrësit ka dhënë sot masën e arrestit “Burg pa afat” për Leonora Zaçellari 30 vjeçe.
Ajo akuzohet se ka qëlluar më armë zjarri të llojit pistoletë, duke e lënë të plagosur bashkëshortin e saj Përparim Zaçellarin 35 vjeç.
Gjatë dhënies së masës së sigurisë, e cila është mbajtur me dyer të mbyllura për mediat, mësohet se Leonora e ka pranuar veprën për të cilën akuzohet, duke pohuar se gjithçka ka ndodhur për shkak të dhunës që bashkëshorti i saj ushtronte prej 15 vitesh.
Prokurori i çështjes Vladimir Mara, e ka cilësuar arrestimin në flagrancë si të ligjshëm, nën akuzën e vrasjes së mbetur në tentativë dhe armëmbajtjes pa leje, duke kërkuar masën e sigurisë arrest me burg.
Kërkesa e prokurorit është kundërshtuar nga avokati mbrojtës Edi Rubiku, i cili ka pohuar se klientia e tij e ka bërë për vetëmbrotje për shkak se 35 vjeçari ushtronte dhunë sistematike mbi bashkëshorten që prej 15 vitesh.
Pasi ka dëgjuar palët, trupi gjykues i kryesuar nga Anila Mici, ka vendosur masën e sigurisë “Arrest me burg” për 30 vjeçaren Leonora Zaçellari, nënë e dy fëmijëve të mitur.
Ngjarja e rëndë është shënuar në lagjen numër 14 Shkozet Durrës, 4 ditë më parë.
NGJARJA
Ngjarja ka ndodhur në katin e dytë të një banese dykatëshe të familjes Zaçellari me origjinë nga Korça, të mbërritur në Durrës 12 vjet më parë. Mësohet se Përparimi ka debatuar me bashkëshorten e tij, Leonorën, e cila sapo ishte kthyer nga puna, ku punonte si rrobaqepëse prej disa vitesh. Grindja ka degjeneruar në dhunë, dhe 36-vjeçari e ka tërhequr prej flokësh dhe e ka goditur me grushte e me sende të tjera në kokë e në trup bashkëshorten. 30- vjeçarja ka rrëmbyer armën e krimit, tip pistoletë, dhe ka qëlluar plot 6 herë në drejtim të bashkëshortit. Përparimi ka marrë 2 plumba në trup, një në krah dhe tjetrin në organet gjenitale. Vetëm plumbat kanë mundur ta ndalin 36-vjeçarin që të mos e godiste më gruan. Fatmirësisht, dy fëmijët e çiftit kanë qenë duke luajtur në oborr dhe kanë dëgjuar vetëm ulërimat e nënës dhe krismat e pistoletës. Menjëherë pasi ka qëlluar mbi bashkëshortin, 30-vjeçarja ka marrë në telefon policinë e Durrësit, në numrin 129, dhe u ka treguar ngjarjen. Blutë kanë mbërritur në vendngjarje vetëm pak minuta më pas, ndërsa autorja është vetëdorëzuar,së bashku me armën tip pistoletë e cila mbahej në banesë pa leje.
/e.a. Agjencia Lajmeve “Dyrrah”/





