DURRES, 20 prill 2013- Ish-dhëndri ynë ka 12 vjet që e torturon vajzën. Katër herë ka përfunduar në spital në gjendje të rëndë shëndetësore, pas të rrahurave me rrip mesi. Edhe policia e di, e ka shoqëruar disa herë në polici për ngacmim të dy grave në lagje, por ka dhënë para e ka dalë. Prej 10 vjetësh ka lidhje jashtëmartesore, ndërsa ka edhe një fëmijë ilegal, vajzë, me të dashurën e tij, një grua e divorcuar që është nga Skrapari. Ai duhet të kalbet në burg, jo vajza jonë Nora, që ka 12 vjet që rrihet prej tij". Kështu deklaroi në një intervistë ekskluzive për "Gazetën Shqiptare", Diliko Sadikllari, nëna e Leonora Zaçellarit që plagosi burrin me 4 plumba, më 17 prill, në banesën e tyre, në lagjen numër 17 të Durrësit. 

E pikëlluar, nëna e 30-vjeçares, në një rrëfim tronditës tregon të gjitha mizoritë që i janë bërë vajzës së saj, të dhunuar sistematikisht. 

Zonja Diliko, a mund të më thuash se çfarë ndodhi atë ditë?

Ishte ora rreth 4 e 30 minuta, vajza më vjen me vrap këmbëzbathur me një pistoletë në dorë e hyn në derë të shtëpisë. Ishte e nxirë nga sytë, e tmerruar, dhe sa hyri brenda, më tha: "Nënë, e vrava para se të më vriste". E mora brenda, dhe sapo hyri, ka lajmëruar policinë e Durrësit dhe u tha që, 'kam vrarë burrin'. Pse ishte zënë me bashkëshortin atë ditë Leonora? 
Atë ditë dhëndri kishte dalë herët në mëngjes dhe një telefon e kishte harruar në krevat. Ishte telefon që e mbante fshehtas Norës. Gjatë ditës, ndërsa ajo ishte në punë, e kishte marrë vazhdimisht një femër në telefon. Ishte dashnorja e Përparimit, dhe kjo i kishte thënë që ta linte rehat, bashkë me burrin, se kishin dy fëmijë. Kur kjo erdhi nga puna, i shoqi e priste me pistoletë në dorë. Ishte bërë si bishë, e kishte rrahur sa i ishin zënë sytë vajzës dhe bridhte me pistoletë në dorë në shtëpi, duke e kërcënuar se do ta vriste. Kishte ndërruar mendje dhe i kishte thënë që do t'ia merrte jetën me ngadalë, dhe ishte drejtuar për tek kuzhina, duke e lënë për një moment pistoletën të mbushur mbi tavolinën e sallonit. 
 

Po më pas, çfarë ka ndodhur?

Përparimi kishte marrë një thikë për ta vrarë dhe Nora ka rrëmbyer pistoletën nga tavolina e ka dalë në korridor duke e mbyllur derën nga jashtë. Ai u sul të hapte derën, ndërsa kjo e kishte humbur toruan dhe kishte shkrepur armën. Plumbat kanë shpuar derën, që kjo përpiqej ta mbante të mbyllur, ndërsa ai përpiqej ta hapte që të vriste vajzën. Më pas vajza kishte ikur me vrap. 
 

Kishin pasur konflikte të tjera?

Kanë 12 vjet që grinden me njëri-tjetrin, sepse ai, që kur erdhi prej fshatit zuri dashnore. Katër herë janë ndarë, por ne tri herë nuk e pranuam vajzën në shtëpi. I thoshim 'ik tek familja jote', se vetë e kishte marrë. Një vit më parë e rrahu vajzën me rrip pantallonash, sa e këputi në tri pjesë në kurriz të saj. Vajza filloi edhe procedurat e divorcit. Por nipi im 13 vjeç i bashkoi dhe Përparimi i kërkoi falje. I tha që e kishte mbyllur të gjithë çështjen me dashnoren dhe vajza i dogji letrat e divorcit. Pastaj, nisi sërish ta rrihte e ta kërcënonte. Vajza, edhe në verë ikte me mëngë të gjata në punë, nga shenjat e dhunës së tij. 
 

Pse thoni që ka një grua tjetër?

Ka tetë vjet me atë, kanë edhe një fëmijë, duhet të jetë nja pesë a gjashtë vjeçe vajza. U thotë fëmijëve që, 'ju keni edhe një motër, do të vijë dita që do ta njihni edhe atë'. Vajza i ka parë disa herë bashkë. 
 

Pse nuk e morët ju në mbrojtje?

Ajo nuk tregonte se çfarë hiqte nga i shoqi. Tregoi kur ishte para një viti në spital, që ai e bëri për vdekje. Kjo, sepse kur u martua me të ishte 15 vjeçe. Përparimi e mori nga bankat dhe asnjë prej familjes nuk e donte martesën me atë djalë. 
 

Çfarë kërkoni ju si familje?

Unë kërkoj që në burg të shkojë ai, sepse vajza ime është viktimë e dhunës së atij njeriu. Vajza është vetëmbrojtur, ose do ta vriste ai në të kundërt. Drejtësia të vendosë si është e vërteta. Ai të shkojë në burg për të gjitha ato që ka bërë! Ne do të kërkojmë menjëherë divorcin me të.