TIRANE, 19 prill 2013 – Politika shqiptare përshëndeti arritjen e marrëveshjes mes Kosovës dhe Serbisë në Bruksel, duke e konsideruar si një sukses për të gjithë rajonin e Ballkanit.

Kryeministri Berisha e konsideroi një arritje historike për normalizimin e marrëdhënieve mes dy vendeve marrëveshjen e nënshkruar nga kryeministrat Thaçi dhe Daçiç. 

Në njoftimin e shpërndarë për mediat, kryeministri Berisha deklaron:

“Sot, në Bruksel, pas negociatash serioze u arrit marrëveshja midis Kosovës dhe Serbisë, me ndërmjetësimin e Baroneshës Ashton dhe mbështetjen direkte të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për procesin. Kjo marrëveshje historike përbën një arritje madhore, tejet të rëndësishme për Kosovën dhe Serbinë, normalizimin e marrëdhënieve midis tyre. Marrëveshja e Brukselit ka një rëndësi të madhe për të gjithë rajonin tonë, për paqen, bashkëpunimin dhe integrimin rajonal dhe europian. Marrëveshja e sotme hap një kapitull të ri në marrëdhëniet midis shqiptarëve dhe serbëve në rajonin tonë, në përpjekjet e tyre për një të ardhme të përbashkët europiane.” 

Në emër të qeverisë shqiptare, Kryeministri përshëndet vizionin e të dyja palëve, të dy kryeministrave Thaçi dhe Dacic, për arritjen e marrëveshjes, Baroneshën Ashton për ndërmjetësimin e suksesshëm, si dhe mbështetjen e SHBA-së, që siç shprehet kryeministri “bënë të mundur këtë arritje historike për Kosovën, Serbinë dhe rajonin tonë”. 

Ndërkohë lideri i opozitës, Edi Rama e ka përshëndetur marrëveshjen përmes një mesazhi në rrjetin social “Tëitter”. Rama ka deklaruar se ndihej krenar për Kosovën, duke vlerësuar edhe Serbinë për këtë hap të rëndësishëm. 
“Krenar për Kosovën që falë një lidershipi vizionar fitoi luftën dhe paqen me dinjitetin më të madh! Më në fund dhe Serbia bëri gjënë e duhur.”- shkruan Rama 

/m.b. Agjencia e lajmeve "Dyrrah"/