DURRES, 19 prill 2013 – Investimi me vlerë 80 milion lekë të reja do të bëjë të mundur furnizimin me ujë 24 orë pa ndërprerje për zonën e Spitallës dhe Porto Romanos. Numri total i familjeve që përfitojnë nga ky projekt është rreth 5000. Faza e parë e projektit ka përfunduar dhe prej tij kanë nisur të përfitojnë 2000 familje.

Në mesin e muajit maj pritet të përfundojë edhe faza e dytë, që do garantojë furnizim pa ndërprerje për 3000 familje në Porto Romano. Sipas drejtorit teknik të Ujësjellësit të Durrësit Franc Stajka në Spitallë ka mbaruar faza e parë e ndërtimit të linjës së ujësjellësit që ka garantuar prej një jave furnizim të rregullt me ujë të pijshëm për rreth 2000 familje.

Ndërkohë që janë në proces punimet për përfundimin e linjës së dytë të së njëjtës zonë, e cila do të furnizojë një pjesë të Spitallës si dhe tërë rajonin e Porto Romanos deri në pjesën ku janë të instaluara depozitat e naftës.

Në këtë sektor ku po punohet ende ndodhen rreth 3000 familje që do të furnizohen me ujë pa ndërprerje. Faza e parë e projektit ka kushtuar rreth 37 milion lekë të reja dhe janë shtruar tubacione me një gjatësi prej 8 km, ndërsa faza e dytë ka kushtuar rreth 43 milion lekë dhe janë shtruar e po shtrohen rreth 4 km tubacione.

Në fazën e dytë janë duke u shtrirë rreth 2600 m tubacione polietileni me seksion 250 mm dhe 2100 m me seksion 260 mm. Shtrimi i tubacioneve po bëhet për herë të parë, sipas Stajkës, në trotuarin e rrugës Spitallë – Porto Romano, për të mos dëmtuar asfaltin e këtij aksi.

/m.b. Agjencia e lajmeve ‘Dyrrah”/