Hakmarrja për kritikën: “Ndërgjegjësimi mbi të Drejtat e Pronësisë Industriale dhe Intelektuale në Shqipëri është i ulët, siç tregohet nga numri relativisht i vogël i rasteve të shkeljes së ligjit që janë sjellë përpara sistemit shqiptar të drejtësisë”

Nga Thanas Mustaqi

TIRANË, 19 prill 2013– Vartësit e ministrit Florjon Mima “dëbojnë” kreun e Delegacionit të BE-së Sequi, pasi i “grabitin” të drejtat e pronësisë së investimit  prej 1 milion euro, ky është një tjetër skandal i zyrës së shtypit të Ministrisë së Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës (METE).

Në Shqipëri regjistrohen rreth 3 mijë marka në vit, deri janë të regjistruara më shumë se 50 mijë marka nga të cilat 80 për qind janë marka ndërkombëtare, u mburr Ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës Florjon Mima në aktivitetin e organizuar me rastin e mbylljes së Projektit IPA 2009.

Sipas Mimës, Shqipëria zë vendin e tretë në Ballkan dhe të 28-in në botë për patentat e regjistruara në përpjestim me popullsinë sipas raportit të UNDP 2012.

Këto deklarata janë bërë më 18 prill 2013në aktivitetin e organizuar me rastin e mbylljes së Projektit IPA 2009 “Për Zhvillimin e Sistemit të të Drejtave të Pronësisë Industriale në Shqipëri”, projekt i Bashkimit Evropian i zbatuar nga Zyra Evropiane e Patentave.

Ndërkaq, zyra e shtypit e METE-s shfaq një mungesë të theksuar përgjegjësie dhe profesionalizmi teksa fut në sajt njoftimin për këtë veprimtari, por harron të përmendë pjesëmarrjen e shefit të Delegacionit të BE-së në Shqipëri, ambasadorit Ettore Sequi, i cili theksoi nevojën për të shtuar përpjekjet për të përmirësuar legjislacionin dhe mekanizmat e zbatimit, duke veçuar qartësimin e inspektorateve që janë të mandatuar me kryerjen e inspektimeve në DPI.

“Gallata” është se zyra e shtypit e METE-s boton një foto të ministrit Mima përkrah Sequi-t, por në tekstin shoqërues shkruhet: “Ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës z. Florjon Mima në aktivitetin e organizuar me rastin e mbylljes së Projektit IPA 2009” (mete.gov.al/index.php?idm=4235&idr=170&lang=1&T=1&mod=1).

Sipas njoftimit për shtyp të Delegacionit të BE-së në Shqipëri (eeas.europa.eu/delegations/albania/press_corner/all_news/news/2013/20130418_sq.htm), më 18 prill 2013, “përfundoi projekti prej 1.000.000 euro për forcimin e të Drejtave të Pronësisë Industriale dhe Intelektuale (DPI) në Shqipëri. Që nga maji i vitit 2011, Zyra Evropiane e Patentave ka mbështetur Drejtorinë e Përgjithshme të Patentave dhe Markave (DPPM) për të zbatuar më mirë ligjet ekzistuese dhe ka rritur ndërgjegjësimin për rëndësinë e DPI si për bizneset ashtu edhe për konsumatorët. Respektimi i punës së të tjerëve, qoftë një libër, një CD, software, apo një emër marke, është çelësi për konkurrencën e drejtë, krijimtarinë dhe inovacionin”.

Në këtë rast, për shkak të servilizmit ndaj titullarit të dikasterit dhe paditurisë së skajshme, zyra e shtypit e METE-s përvetëson “pasurinë” e BE-së (financimin prej 1 milion euro dhe praninë e shefit të Delegacionit Suqui).

METE-ja ka fshehur në njoftimin e vet kritikën e BE-së se “ndërgjegjësimi mbi DPI (të Drejtat e Pronësisë Industriale dhe Intelektuale) dhe të drejtat e lidhura me të, si dhe njohja e vlerës së tyre mes operatorëve ekonomikë dhe publikut të gjerë në Shqipëri është i ulët, siç tregohet nga numri relativisht i vogël i rasteve të shkeljes së ligjit që janë sjellë përpara sistemit shqiptar të drejtësisë, si dhe gjithashtu nga numri i madh i CD-ve, DVD-ve, dhe vepra të tjera në vend të cilat nuk mbartin të drejtën e autorit”.

Ambasadori Ettore Sequi, theksoi se “një sistem efektiv i mbrojtjes së të Drejtave të Pronësisë Intelektuale (DPI) dhe zbatimi i tyre luajnë një rol kyç në mbështetjen e risive, duke stimuluar investimet dhe rritjen ekonomike, dhe për këtë arsye kjo duhet të forcohet në agjendën e brendshme të Shqipërisë”.

/Agjencia e lajmeve “Dyrrah”/