11.5 milion euro për ujërat e zeza në zonën turistike në qytetin e Durrësit
DURRES, 19 prill 2013– Problematika disavjeçare që ka shoqëruar ndotjen e bregdetit të Adriatikut nga derdhja e ujrave të zeza në të, në këtë prag sezoni është drejt zgjidhjes.
Impianti i trajtimit të ujërave në Shën Vlash me një vlerë prej 11.5 milion euro ka përfunduar.
Ujërat e ndotur të qytetit të Durrësit dhe plazhit publik aktualisht shkarkojnë në këtë impiant, ndërkohë drejt përfundimit është edhe rrjeti i përcjelljes së ujërave të zeza nga zonat turistike e Shkëmbit të Kavajës. Drejtoresha e impiantit të ujërave të ndotura Enkelejda Basha sqaron se ujërat e zeza fillimisht do të përcillen përmes rrjetit të kanalizimeve në impiantin e Shën Vlashit. Pasi të kenë kaluar këtë proces nga ku do të përpunohen, ujërat do të derdhen në det, të pastra nëpërmjet hidrovorëve. Sipas saj ky investim mbetet mjaft i rëndësishëm, pasi ndotja e ardhur si pasojë e ujërave të zeza ka qenë një problem i mbartur për qytetin e Durrësit dhe nëpërmjet këtij investimi zgjidhja do të jetë përfundimtare. Basha shpjegon më tej se impianti i trajtimit të ujërave të zeza ka një kapacitet përpunimi prej 20 mijë metrash kub ujë në ditë, prej nga ku përmes teknologjisë bashkëkohore dhe lagunës, ujërat e zeza shndërrohen në ujëra 97 % të pastra. Investimet në fjalë konsiderohen si mjaft i rëndësishme edhe për mjedisin, pasi do t’i japë zgjidhje përfundimtare ndotjes së ujërave të detit për zonat turistike të Durrësit, nga Ura e Dajlanit deri tek Përroi i Agait.
Ramazan Kalia, Drejtori i Agjensisë Rajonale të Mjedisit Durrës, garanton të gjithë pushuesit për një sezon turistik më të pastër përsa i përket ujërave të ndotura. Sipas tij pjesa më e madhe e bizneseve dhe objekteve të akomodimit për pushues kanë pasur probleme me ujërat e zeza, pasi në mungesë të një kolektori të rregullt dhe funksional kanë ndërtuar gropa septike. Por vënia në funksion e impiantit do t’i japë fund makthit të qytetarëve dhe pushuesve këtë sezon.
Ky impiant është parashikuar t’i shërbejë një popullate prej 250 mijë banorësh, ndërkohë që është lënë mundësia e zgjerimit të tij perspektiv, në përputhje me zhvillimet urbane të Durrësit dhe zonave përreth tij. Impianti i përpunimit të ujërave të zeza të Durrësit, shtrihet në një sipërfaqe prej 70 hektarësh, në kufirin mes zonës industriale të Durrësit dhe Komunës së Rrashbullit dhe është më moderni ndër 14 impiantet, të cilat janë në ndërtim e sipër në territorin e vendit. Ai nuk do të çlirojë gazra dhe as erëra, për shkak se është ndërtuar së bashku me një sistem të përthithjes së gazrave që çlirohen nga përpunimi dhe përdorimi i tyre për gjenerimin e energjisë elektrike.
/e.a. Agjencia Lajmeve “Dyrrah”/





