TIRANË, 19 prill 2013- Kryetari i partisë Socialiste nisi mesditën e sotme takimet me krerët e partive të vogla. Partia Socialiste zyrtarizon sot marrëveshjen paraelektorale me 43 parti të koalicionit opozitar. Partitë të cilat kanë pranuar ftesën e socialistëve për koalicion do të nënshkruajnë mesditën e sotme në ambientet e selisë rozë marrëveshjen. 

Partia kryesore është LSI që në fillim të këtij muaji u shkëput nga koalicioni me Partinë Demokratike. 

Ndërkohë mësohet se Aleanca Kuq e Zi dhe PBDNJ nuk do jenë pjesë e këtij takimi, pasi nuk kanë vendosur ende, ndërkohë që FRD ka deklaruar se do të futet e vetme në zgjedhje. 

Afati përfundimtar i regjistrimit të koalicionit në KQZ është data 23 prill. 

PS MBYLL TAKIMIN ME PARTITË E NIVELIT TË DYTË

Ka përfunduar takimi që është përmbyllur me marrëveshje me partitë e nivelit të dytë të koaliconit të majtë. Takimi është përmbyllur me sukses sic konfirmoi dhe zoti Koci, pasi partitë e vogla janë të kënaqura me ato cka i ka ofruar PS. 

Gazetari Arbër Hitaj raporton se nuk ka pasur pretendime të partive të vogla për të qenë pjesë e listave zgjedhore, pasi ato do kandidojnë nën singlen e tyre. 

PETRO KOCI: KUSHTI JONË ROTACIONI POLITIK

Kreu i Partisë PSV’91 Petro Koci në përfundim të takimit me kryesocialsitin Rama bëri publike se marrëveshja permban detyrime të partisë për të respektuar besnikërinë e votës dhe detyrimet pas rezultatit zgjedhor, teksa shtoi se kushti i vetëm është rotacioni politik 
“Ky dokument nuk përmban kërkesa specifike të partive në raport me PS por është baza për regjistrimin e këtij koalicioni në KQZ. Marrëveshja është ajo që kemi miratuar më parë, kushti kryesor është rotacioni politik, të tjera lidhen me vendime specifike por s’kanë lidhje mbi parimet e ndërtimit të koalicionit”- theksoi Koci. 

NGJELA: JAM ME PARTINË TIME DO DAL DEPUTET

Kreu i PLD-së, Spartak Ngjela pas takimit me kryetarin e Partisë Socialiste Edi deklaroi se do të kandidojë nën siglën e partisë së tij. 
“Unë nuk kam ardhur për të bërë kerkesë për të hyrë në PS. Unë jam me partinë time dhe dal deputet”- konfirmoi Ngjela, teksa nënvizoi se kundërshtari është i rrethuar totalisht.