TIRANE, 15 prill 2013– Historia rrëqethëse e Erlindit, i cili fle dhe zgjohet me dëshirën për një jetë të re   

“Çdo ditë e imja nis nga një monolog me vetveten. I përsëris vetes: Vetëm për sot, mendimet e mia do të përqendrohen në shërimin tim duke jetuar dhe shijuar jetën pa varësinë e drogës. Edhe unë mund ta shoh jetën në një dimension të ri, si një njeri që nuk ka lidhje me drogën”, rrëfen Erlindi, djaloshi 32-vjeçar.

Ai është i gjatë, i pashëm, por i dobët, pa ngjyrë në fytyrë, ndërsa mishi të rrëqethet kur sheh krahët e tij.

O Zot, jo, o Zot, nuk është e mundur!!! Si mund t’ia bësh vetes këtë?! Pyetje e pamenduar mirë, në një moment kur ai ul kokën, ndihet i fyer, i turpëruar përpara teje. Por ndërsa trupi më dridhej nga ajo pamje e tmerrshme që ishte skalitur në krahët e një djali në moshën më të bukur të jetës, s’mendova dot më gjatë. U meka, u preka, u tmerrova, ndjeva dhimbje të thellë, një dhimbje që dukej sikur nuk mbaronte.

“Bisedat me veten, të njëjtat që më zgjojnë, të njëjtat që më vënë në gjumë, nuk janë rastësore, por të menduara mirë, herë pas herë mendime të sforcuara, të stimuluara nga jashtë, për të bindur veten që duhet të rinis një jetë të re pa ndikimin e drogës. Kërkoj forcë, ndonëse forcë nuk kam, lutem për shpresë, por as atë nuk e gjej. Kam nevojë për miq, por as ato nuk i kam. I kam pasur dikur, fajtor jam unë, ata janë lodhur me mua. Unë jam i pabindur, ato s’ia dolën me mua, as unë nuk ia dola me veten. U përpoqa kaq shumë, vazhdoj ta bëj ende, por jam i pafuqishëm”, tregon Erlindi.

Sytë e tij kanë humbur shkëlqimin, nuk shprehin asgjë, asnjë emocion, qoftë pozitiv a negativ, duken të pashpresë, të përhumbur. Ai ngjan me një njeri që ka humbur rrugën në një qytet të largët, të panjohur për të, si një fëmijë i vogël që ka frikë të ecë i vetëm.

“Trupi më rrëqethet, duart më dridhen, sytë më mbyllen, fjalët nuk më vijnë. Detyroj veten të përqendrohem diku, në një punë, në një aktivitet në një bisedë që s’lidhet me drogën. Është kaq e fortë kjo ndjesi që ndiej për brenda sa mendoj që në mos sot nesër, do të më marrë frymën. Unë drogohem rregullisht prej më shumë se 15 vjetësh, që prej moshës 17-vjeçare. E nisa si lojë, më shumë për gallatë, sepse më bënte të qeshja. Fillimisht kam pirë marijuanë, por pas 3 vjetësh dhe aktualisht përdor rregullisht heroinën me shiringë. Kam tentuar disa herë të rehabilitohem, por s’ia kam dalë, ajo është më e fortë se unë.

Kam jetuar pa të gjithë, pa gjithçka, pa prindërit e mi, të cilëve u ka hyrë e keqja në shpirt e në zemër kur mësuan dramën time, pa të dashurën time, një histori 7-vjeçare. Kam lënë gjithçka të dashur për mua dikur, duke mos përjashtuar edhe punën si kamerier, më vonë si menaxher i një pub-i në kryeqytet. Por drogës nuk i them dot jo, do çmendesha. Vetëm një mrekulli mund të më shpëtojë, përndryshe fundi im nuk është i largët”, shprehet 32-vjeçari. Pesimizmi që ka pushtuar identitetin, trupin e tij është i tmerrshëm, ai s’ka një kujtim që ta bëjë të ecë përpara, një arsye, një mbështetje që mund të ndryshonte fatin e tij.

Prej rreth 6 vjetësh, Erlindi jeton i vetëm, në shtëpinë e një shokut të tij, i cili jeton në emigracion. E ka zgjedhur vetë të jetojë kështu, sepse nuk duronte dot nënën e tij të qante çdo ditë në këmbët e tij, babanë që i bërtiste për t’i dhënë fund njëherë e mirë drogës, përndryshe do ta vriste më mirë me duart e tij, sesa ta shihte duke vdekur nga overdoza. E duke qenë nën ndikimin e kësaj lloj droge, mendja dhe trupi i tij kanë nevojë për qetësi, për rrjedhojë vetmia është shpëtimi i tij.

“Jeta ime mori të tatëpjetën për shkak të njerëzve me të cilët shoqërohesha çdo ditë. Unë isha vetëm 17 vjeç, nxënës në shkollën e mesme “Qemal Stafa”, kur ndizja një cigare hashash në ditë. Kam qenë shumë i shkathët, më buronte një energji e pashtershme, kam qenë tip kurioz, doja të provoja gjithçka, edhe nëse më thoshin që është e keqe. Kisha besimin në vete se çfarë do që të pija, si hashash, apo heroinë, mund ta lija kur të doja, s’mund të ishte më e fortë se unë. Por aty gabova. Ai ishte fillimi i një gremine të thellë, ku unë kam hyrë kokë e këmbë e zor se do dal ndonjëherë. Ai qe fillimi, vazhdimi, me siguri do të jetë edhe fundi im”, tregon me dhimbje njëkohësisht me nostalgji për vitet kur dëshira e tij për të jetuar e provuar ishte e madhe, ndërsa sot ka humbur gjetiu.

Fjalët e tij sa të ngjallin keqardhje, aq edhe të frikësojnë, sidomos kur thotë se nuk ndien asgjë, nuk provon asnjë lloj emocioni. Ndikimi i drogës e ka transformuar 32-vjeçarin në një njeri të ftohtë, pa ndjenja, pa dhembshuri, të vetmuar.

“Nuk ndiej dashuri për askënd, për asgjë, në shumë momente nuk dua as prindërit e mi. Të vetmet raste kur më dhimbsen ose kur ndiej se i dua ende, janë vetëm pasi kam marrë dozën e nevojshme. Ai është shpëtimi im, më hap sytë, më nxit ndjesi pozitive, të bukura, më afron me realitetin “imagjinar”, ku do doja të jetoja. E kundërta, në mungesë të një apo më shumë dozave heroine, do të ishte fatale. S’dua të shoh njeri me sy, ndiej urrejtje, s’duroj dot të më flasin, s’dua të dal me askënd, kam dhimbje të tmerrshme”, shpjegon Erlindi.

Ai thotë se miku më i mirë është krevati i tij dhe dhoma e mbyllur me çelës, ku nuk futet dot askush, ku nuk flet me njeri. Këtu nis beteja e tij për të rifituar jetën ose për të zgjedhur vdekjen…

“Dua t’ia dal, por s’ia dal dot. Dua edhe unë të jem si ty, si gjithë të tjerët, por nuk e bëj dot. Këto dilema më shoqërojnë për çdo ditë. Mbyllem për të mos e blerë më këtë plehrë që po më shkurton jetën çdo ditë e më shumë, por nuk rezistoj dot. Paratë m’i jep mamaja, m’i sjell çdo ditë te shtëpia. Ka frikë se mos vjedh apo bëj ndonjë çmenduri për të siguruar heroinën apo mjetet që më duhet për ta injektuar atë në gjak dhe detyrohet të m’i japë vetë lekët. Duke mos qenë e fortë të më shohë tek dridhem, ulërij apo kur përplasem nëpër shtëpi, ajo më jep lekët dhe më kërkon të shkojë të bëjë injektimin vetëm për të mos më parë në atë gjendje. Deri në këtë pikë e kam çuar. Dua të duroj dhimbjen, por më duket sikur po vdes. Çdo ditë i them vetes, edhe sot dhe nuk e bëj më. Nesër nuk do e marr, por fjalët e mia s’kanë pikë vlere, s’kanë asnjë kuptim, sepse unë s’di ta mbaj fjalën. Unë e marr përsëri e përsëri heroinën, ndërsa pyes veten me dhimbje sesi do jetë e nesërmja… A do mundem që një ditë ta shoh botën me sytë e mi? A do ketë të nesërme edhe për mua?!”, rrëfen 32-vjeçari, konsumator i rregullt i drogës për 15 vjet të jetës së tij, që prej vitit të dytë të shkollës së mesme.

/Shqip/