FUSHE ARREZ, 15 prill 2013- Gati një ‘luftë’ e vërtetë ka ndodhur sot në fabrikën e pasurimit të bakrit në Fushë Arrëz.
Protestues dhe policia janë përleshur pasi një protestë e banorëve të zonës ka dalë jashtë kontrollit duke sulmuar dhe kreun e policisë së zonës.
FUSHË ARRËZ, MBËRRIJNË FORCAT E NDËRHYRJES SË SHPEJTË
Forca të ndërhyrjes së shpejtë kanë mbërritur në Fuzhë Arrëz dhe kanë tentuar të hyjnë në ambientet e fabrikës ku janë vetëizoluar protestuesit.
FNSH ndërhyri nga pjesa e malit për të hyrë në fabrikë, por dyert e fabrikës janë mbyllur nga brenda nga protestuesit që nuk pranojnë të negociojnë.
FNSH ndërkaq ka marrë në mbrojtje vetëm mjediset e zyrave.
FUSHË ARRËZ, PROTESTUES ‘PUSHTOJNË’ FABRIKËN E BAKRIT
Banorë të Fushë Arrëzit po zhvillojnë një protestë mbi fabrikën e pasurimit të bakrit, dhënë me koncesion një kompanie turke.
Protestuesit kanë nxjerrë nga ambientet e punës punonjësit e fabrikës dhe kanë thyer xhama dhe objekte. Policia ka ndërhyrë me shpejtësi për të ndalur sulmin, por protestuesit nuk janë tërhequr. Shefi i rendit të Fushë Arrëzit ka qëlluar në ajër 3 herë, pasi turma tentoi të sulmonte. Po kështu policia kërkoi dhe ndërhyrje me helikopterë të forcave të shpejta nga Tirana, pasi situata sipas tyre është e papërballueshme.
Banorët e Fushë Arrëzit me bukë në duar kanë protestuar kundra kompanisë që ka marrë me koncesion fabrikën e pasurimit të bakrit.
“Kërkojmë të punësohet edhe pjesa tjetër e lagjes. Jemi banorë të së njëjtës zonë, disa kanë 10 kamiona dhe bëjnë lekë, disa nuk kanë bukë të hanë sepse janë pa punë. Firma turke merr njerëz nga Turqia i punëson dhe ne na le pa punë”, thotë njëri prej protestuesve.
“Nuk ka më këtu as turk, pas Pakistan, asnjë nuk do ketë këtu përveç ne që jetojmë këtu”, thotë një tjetër protestues.
“Unë jam përfaqësues i lagjes dhe kryetar i lagjes. Kam kohë që negocioj me firmën Bler-alb dhe pushtetin vendor e qëndror dhe kemi bërë marrëveshje me mirëkuptim dhe procesverbal me të drejtat e lagjes. Asnjë pikë e marrëveshjes, as ajo e ndotjes së tokës, së ujit, së ajrit nuk janë rishikuar nga firma, por as punësimi i banorëve që ishte dhe kryesorja”, thotë një tjetër protestues.
Situata vijon të jetë më e qetë, por protestuesit nuk largohen nga ambientet e fabrikës.





