Mbas dy e-maileve të dërguara mbi 100 institucioneve, ku kërcënohej me vendosjen e një bombe, Antiterrori ka vënë në dijeni dhe ka kërkuar ndihmë për hetime të specializuara në këtë fushë nga Europol.
Hetimet janë fokusuar në fushën kibernetike dhe çështja do t’i përcillet ditën e sotme Prokurorisë për veprën “përhapje e informatave të rreme që nxisin panik”, neni 267 i Kodit Penal.
Grupi i hetimit beson, duke u bazuar në të dyja tekstet që janë shpërndarë ditën e kaluar, në orën tetë, në dhjetëra institucione duke paralajmëruar bombë, se teksti është i përkthyer në shqip me Google Translate pasi fjalia “Ky është Shteti Islamik”, ishte shkruar në email “Kjo është Shteti Islamik”.
Lista e institucioneve është e gjatë, tek të cilat ditën e djeshme, pas evakuimit dhe kontrolleve me qen antieksplozivë, oficerë të policisë gjyqësore kryen veprime në këqyrjen e e-mail-eve, duke i administruar si prova.





