Flet Xhelo Zeqiri, zbuloi i pari vrasjen e Shemshir Muçës
“U ther në xhami, biseda me vrasësin mbi trupin e mikut”
Viktima 86-vjeçare ishte zhveshur nga mesi e poshtë, ja identikiti i masakruesit
Shemshir Muça ishte njeriu me të cilin Xhelo Zeqiri takohej të paktën tri herë në ditë për 15 vjet rresht. I bashkonte shoqëria e hershme dhe falja në xhaminë e fshatit Dushk-Sektor, edhe pse për shkak të moshës nuk e kryenin dot ritualin e “pesë vakteve”.
Pasditen e së premtes ka qenë takimi i fundit i tyre, para se 86-vjeçari Shemshir Muça të jepte shpirt në duart e mikut të shtëpisë dhe të besimit, bashkëmoshatarit Xhelo Zeqiri. Pranë viktimës ndodhej edhe një tjetër burrë, që për shkak të hutimit dhe shikimit jo aq të mirë Zeqiri e ngatërroi për djalin e Muçës, por që në fakt kishte qenë vrasësi i tij. Se çfarë ndodhi mes tyre brenda xhamisë së fshatit, Xhelo Zeqiri, dëshmitari i vetëm i masakrimit të Shemshir Muçës, e rrëfen në intervistën për gazetën “Panorama”…
Ngushëllime për mikun tuaj! Ju kujtohet rreth çfarë ore ndodhi ngjarja?
Ishte ora diku te 16:15. Zakonisht ne të moshuarit, që jemi katër miq të vjetër, mblidheshim dikur rreth orës 16;25 për ta falur pasditen në xhami, por dje (të premten) shkova në orën që ju tregova, 16:15. Pra, isha pak më herët. Por e dija që atje mund të gjeja edhe Shemshirin dhe të llafosesha ca, sepse ai shkonte gjithnjë më herët. Kishte një problem shëndeti me prostatën dhe i duhej që të ishte para nesh në xhami. Dhe aty e gjeta, brenda në faltoren e xhamisë, veçse kishte qenë hera e fundit që do ta shihja gjallë. Llahtar, llahtar!
Duke qenë se ju jeni i pari që gjetët pa jetë 86- vjeçarin Shemshir Muça, me aq sa patë ju duket si vrasje apo vetëvrasje, siç u deklarua fillimisht nga Policia?
Vrasje, çfarë vetëvrasje flisni. Ishte vrasje dhe me thikë madje, kishte shenjën te fyti. Dhe unë e kam gjetur duke dhënë shpirt, jo pa jetë. Ishte në sekondat e fundit.
Ju tha ndonjë fjalë para se të ndërronte jetë?
Jo, nuk mundi dot të fliste. Vetëm një si rënkim, sikur po qante. Pa atë tjetrin, më pa mua dhe pastaj mbylli sytë, duke lëshuar trupin komplet.
Kush ishte “ai tjetri”?
Ehhhhhh. Kush ishte ai tjetri?! Ishte ai që e vrau. Kur u futa unë në xhami, e gjeta atë person duke e mbajtur Shemshirin te qafa dhe mendova se po i jepte ndihmë. Drejt të them, e ngatërrova me të birin e Shemshirit. U turbullova nga skena, nga gjaku dhe për shkak të moshës që kam, nuk është se e dallova mirë. Mendova se ishte djali i Shemshirit që e kishte gjetur të atin para meje… Ai e mbante kokën ulur mbi trupin e Shemshirit dhe unë vetëm bërtita: “Obobo, ç’është ky llahtar!”. Ai gjoja sikur po përpiqej t’i ndalte me duar gjakun që i dilte nga fyti, tha: “Ky mbaroi”. U çua në këmbë, më ktheu kurrizin dhe ia futi vrapit. Në këtë moment që vrasësi ia liroi fytin Shemshirit, pashë që miku im ishte therur dhe atëherë e kuptova që personi që u largua ishte masakruesi i tij.
E njihnit këtë person?
Jo, nuk e njihja. Nuk m’u duk se ishte nga fshati, sepse përgjithësisht i njoh. Por po të ma nxjerrë dikush para, mund ta njoh.
/Panorama/





