ITALI, 5 prill 2013 – Futbolli italian po i shton rradhët e tij me të rinj, që i përkasin brezit të dytë të emigrantëve që kanë emigruar drejt vendit fqinjë këto 20 vitet e fundit. Në anëtarësimet e klubeve vihet re prezenca gjithë në rritje të fëmijëve të emigrantëve, apo atyre që për opinionin publik njihen si “italianët e rinj”.
Por ajo që i bën më tepër interesante këto statistika është fakti se në të dhënat që disponon Federata Italiane e Futbollit për sezonin 2011-2012, numri i këtyre të rinjve kap shifrën 9.434, duke shënuar një rritje prej 23.2% krahasuar me një vit më parë.
“Italianët e rinj” vijnë nga 121 vende të botës, të udhëhequra nga Shqipëria, Maroku dhe Rumania. Po ashtu një numër i madh të miturish që frekuentojnë fushat e futbollit vijnë nga Afrika, Amerika e Jugut dhe Azia.
Një prej talenteve të kombëtares U-19, Elvis Kabashi, rritur dhe formuar në Itali, vetëm pak kohë më parë nëpërmjet një letre dërguar FSHF-së ka refuzuar përfundimisht fanellën kuqezi.
“Siç e dini, unë jam qytetar italian, kam lindur, jam rritur, jam rezident dhe kam banuar gjithmonë në Itali, ndaj ky është shteti me të cilin jam më tepër i lidhur. Rrjedhimisht shpresoj që do të më kuptoni dhe njihni vendimin tim për t′u përgjigjur pozitivisht vetëm nëse thirrem në të ardhmen nga Federata italiane e Futbollit,”- shkruante Kabashi.





