DURRES, 5 prill 2013 – Dhjetëra pallate në lagje të ndryshme të qytetit të Durrësit bien në sy menjëherë për fasadat e “shëmtuara” që ofrojnë. Një pjesë e pallateve janë të suvatuar pjesërisht, ndërkohë që në shumë të tjerë, fasadat janë aq shumë të dëmtuara sa krahas aspektit estetik, krijojnë jo pak probleme për qytetarët që jetojnë në këto godina. Situata është më e rënduar në pallatet e ndërtuara me kontribut vullnetar, ndërkohë që në shtëpitë e ish-pronarëve fjalët dhe komentet janë të tepërta.
Fasadat e këtyre godinave, pjesa më e madhe e të cilëve nuk kanë njohur asnjëherë suva, janë tejet të dëmtuara, duke ofruar një pamje të shëmtuar për qytetin turistik. Mjafton një vëzhgim i shpejtë përgjatë lagjes nr.4, një nga lagjet kryesore të qytetit, dhe konstaton që copa suvaje kanë rënë, ndërsa ndërhyrjet e vetë banorëve duken si arna në fasadat e ndërtesave, në të cilat vihet re amortizimi i tejskajshëm i tyre. Lagështira depërton në mure dhe në shumë apartamente “hartat në mure” nuk zhduken as gjatë verës.
Kjo situatë përveç të tjerave tregojnë banorët, ka sjellë uljen e interesit për të jetuar në këto pallate, pasi kushtet që të ofrojnë ato lënë për të dëshiruar. Punimet me cilësi të dobët, amortizimi dhe mangësitë në termoizolim e rëndojnë çdo ditë situatën.
Qytetarët që jetojnë në këto godina shprehen njëzëri se bashkia e qytetit duhet të ndërhyjë për restaurimin e fasadave të jashtme të pallateve. Në pallatet ku situata është më e rënduar banorët shprehen se evitojnë lëvizjet rreth e përqark objektit, pasi nuk është çudi që nga momenti në moment pjesë të suvasë të shkëputen dhe t’u bien në kokë.
Shumica e pallateve të ndërtuara para viteve ‘90 akoma edhe sot janë të pasuvatuar nga jashtë, ndërsa godinat e ngritura në vitet ’20, ’30 dhe ’40 të shekullit të kaluar, të njohura ndryshe edhe si shtëpitë e ish pronarëve, i kanë fasadat e jashtme thuajse të degraduara, për shkak të amortizimit të banesave dhe mosmirëmbajtjes.
Në bashkinë e Durrësit mësojmë se projektet për rikonstruksionin e fasadave të pallateve në Durrës janë gati, madje pushteti lokal ka hartuar një projekt për ndërhyrje në lagjen nr.4, përgjatë rrugës “Egnatia”, por nuk ka fonde për të nisur puna. Drejtues të bashkisë janë shprehur shumë pesimist përsa i përket realizimit të investimeve të reja në përmirësimin e infrastrukturës, pasi qeveria i ka hequr një sasi të madhe të ardhurash nga transferta e pakushtëzuar në vitin që lamë pas, ndërsa ka bërë të njëjtën gjë edhe me transfertën e këtij viti.
Duket se edhe për disa kohë këto projekte do të flenë në sirtaret e pushtetit lokal, ndërkohë që qendra e Durrësit (pasi në këtë rast flitet për lagjet kryesore të tij), ofrojnë një pamje aspak të denjë për imazhin që duhet të ofrojë një qytet turistik dhe porta kryesore e hyrjes së turistëve të huaj në vendin tonë.
/e.a. Agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





