SHKUP, 5 prill 2013 – Votat e maqedonasve dhe serbëve mund të jenë vendimtare në zgjedhjet parlamentare më 12 maj në Bullgari, komentojnë mediet maqedonase të premten, njofton agjencia e lajmeve FOCUS.
Maqedonasit mund të ndryshojnë ekuilibrin e forcave politike në rajonin e Kiustendilit, në kufi me Maqedoninë, në favor të njërës apo tjetrës parti politike, shkruan e përditshmja Utrinski Vesnik.
Shqetësime janë raportuar nga mediet bullgare, të cilat përmendin rastin me votuesit nga komuna shqiptare e Pustecit që kanë votuar në zgjedhjet lokale në Maqedoni.
Raportohet se në listat e zgjedhësve në Bullgari ka qindra serbë dhe maqedonas. 400 votues u regjistruan vetëm me një qendër votimi.
Në zgjedhjet e fundit lokale një nga banorët vendas u quajt Nënë Tereza, sepse ai kishte strehuar 400 mysafirë nga Maqedonia.
Blerja e votave mund të konsiderohet biznes i importuar për maqedonasit në kohë zgjedhjesh. Deri më tani kryesisht romët kanë dalë të fituar nga shitja e votave të tyre.
Bullgaria huazon votuesit nga Maqedonia, thonë Republika dhe Netpress.
Maqedonasit me pasaporta bullgare mund të ndikojnë në zgjedhjet në Bullgari, shkruan në një titull e përditshmja Nova Makedonija.
Sipas gazetës, mund të huazohen votues maqedonas në rajonin e Kiustendilit, që është shumë afër kufirit me Maqedoninë.
Ndërkaq gazeta në gjuhën shqipe Lajm Maqedoni raportonte më 24 mars 2013 se me disa furgonë dhe vetura, janë duke u transportuar qytetarë nga Shqipëria të cilët po dërgohen direkt në vendvotime gjithandej në Maqedoni, madje edhe në rajonet shqiptare.
Atyre si vendtakim orientues, po u shërben gjimnazi i Resnjës, prej nga me anë të veturave dhe taksive,po shpërndahen gjithandej në Maqedoni.
Siç merret vesh, me më shumë autobusë, furgonë dhe vetura me targa të Shqipërisë dhe Bullgarisë, por dhe me vetura të tjera të huazuara përkohësisht, ata po hyjnë nëpërmjet vendkalimit kufitar “Stenjë”.
Ndërsa, tek ish-hotel “Europa”, në Oteshevë, ata i presin aktivistët nga Resnja të një partie, ndërsa më pastaj të njëjtët transportohen deri te qendra për shkollim të mesëm "Car Samoli", e cila (qendër) të dielën në mënyrë speciale është hapur si qendër takimi, për të ardhurit nga Prespa e vogël e Shqipërisë.
Aty i pajisen me letërnjoftime, ndërsa prej aty deri në vendvotimet e caktuara, barten me vetura të kandidatëve për këshilltarë të një partie.
/th. m. Agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





