TIRANE, 5 prill 2013– Pas daljes së LSI në opozitë dhe deklarimin pro një koalicioni parazgjedhore me Partinë Socialiste, Partia Demokratike ka mbledhur sot strukturat e saj.

Mbledhja zgjati rreth 2 orë, ndërsa në përfundim të saj, kryeministri Berisha tha se “nga fjala e parë deri tek e fundit ishte një mbledhje teknike. Së dyti, në qendër ishte menaxhimi i entuziazmit të madh që ka përfshirë bazën e PD-së, strukturat dhe mbështetësit e saj, si dhe optimizmin e tyre për një fitore të thellë, fitore të shkëlqyer të 23 qershorit”.

Kryeministri foli edhe për tre ligjet e kërkuara nga Brukseli për marrjen e statusit, duke akuzuar Edi Ramën për bllokim, ndërsa qeveria dhe maxhoranca kompletuan të gjitha reformat.

“3 ligjet janë peng me të cilat Edi Rama mori statusin e vendit kandidat, qeveria dhe mazhoranca kompletoi të gjitha reformat me të cilat u bë e mundur që Komisioni Evropian të rekomandojë statusin. Edi Rama i bllokoi ato me votat e tij vetëm e vetëm që Shqipëria të mos marrë statusin. Tani sic njoftuan burime më zyrtare të Brukselit, nuk ka më kohë për t’u bërë raport për Shqipërinë më 16 Prill dhe për t’iu paraqitur ministrave pasi u sigurua se nuk po bëhet raporti për statusin. 3 ligjet Rama i përdori këto për të hedhur hi syve qytetarëve shqiptarë, i votoj si votoj, por e vërteta është se po nuk i votoi do i votojë sovrani me një votë plebishitare, pas 23 qershorit”.