TRIPOLI, 5 prill 2013 – Kryetari i Komitetit Ekzekutiv i Partisë Forcat Libaneze, Dr. Samir Zhazha (Geagea), priti në një vizitë mirësjelljeje, më 4 prill 2013, ambasadorin e Shqipërisë me seli në Kajro Nuri Domi, njoftoi më 5 prill e përditshmja në gjuhën frënge “L’Orient LE JOUR”.
Sipas sajtit të partisë “Forcat Libaneze”, në këtë takim, në rezidencën në Muarab, ishin të pranishëm konsulli i nderit i Republikës së Shqipërisë në Liban Mark Gorajeb (Marc Ghorayeb) dhe shefi i marrëdhënieve të jashtme të partisë, Pjer (Pierre) Bo As.
Me këtë rast Domi informoi kreun e partisë të të krishterëve maronitë të Libanit mbi situatën në Ballkan, sidomos në Shqipëri, duke shpjeguar ngjashmëritë dhe përvojën e përbashkët mes Libanit dhe Shqipërisë në aspektin e “konservimit të vlerave” dhe sidomos “bashkekzistencës” dhe “luftës për demokraci”.
Ministria e Punëve të Jashtme e Shqipërisë nuk ka dhënë ndonjë njoftim për këtë veprimtari diplomatike në Liban.
/th. m. Agjencia e Lajmeve “Dyrrah”/





