TIRANË, 5 prill 2013 – Presidenti i Republikës, Bujar Nishani i dorëzoi sot Flamurin Kuq e zi ekipit kombëtar të Peshëngritjes, i cili do të përfaqësohet në Kampionatin Europian të Peshëngritjes, që do të zhvillohet në vendin tonë. 

Kreu i Shtetit duke u uruar sukses sportistëve të Ekipit Kombëtar të Peshëngritjes vlerësoi Federatën për punën e bërë për organizimin e Kampionatit Europian të Peshëngritjes në Shqipëri. 

“Organizmi i Kampionatit Europian të Peshëngritjes në Shqipëri është vërtetë një arritje, por dhe një sfidë shumë e madhe për sportin tonë të peshëngritjes, i cili për hir të së vërtetës ka bërë histori në fushën e sportit dhe të kulturës shqiptare. Prandaj në këto momente do të desha t’u uroj suksese sportistëve tanë”, u shpreh Nishani. 

Më tej Presidenti tha se “midis jush ka emra brilantë, të shkëlqyer të sportit të peshëngritjes. Jam i bindur, që secili prej jush është i motivuar nga emrat e mëdhenj të peshëngritjes sonë, të cilët në tërë historinë e sportit tonë kanë qenë në piedestalin e rezultateve, por dhe të emrit të sportit shqiptar, jo vetëm në Shqipëri, por dhe në botë”. 

Kreu i Shtetit e shfrytëzoi këtë ceremoni edhe për të nxitur autoritetet dhe institucionet e vendit të adresojnë më shumë mbështetje për sportin shqiptar të peshëngritjes, por jo vetëm, duke vënë në dukje se çdo rezultat pozitiv i sportistëve tanë është krenari për secilin sportist, por edhe shpërblim për punën e trajnerëve. 

Pas marrjes në dorëzim të Flamurit Kombëtar, sportisti Briken Calja, peshëngritësi shqiptar me rezultatin më të mirë në Lojërat Olimpike të Londrës, u zotua para Presidentit të Republikës. 

Ceremoninë e përshëndeti edhe Presidenti i Federatës Kombëtare të Peshëngritjes, Elez Gjoza, i cili e falenderoi Kreun e Shtetit për mbështetjen e veçantë që i jep sportit dhe e garantoi për realizimin e një kampionati model, ku sportistët tanë dhe Shqipëria të përfaqësohet me medalje. 

Në këtë ceremoni ishin të pranishëm Ministri i Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Visar Zhiti; Kryetari i Akademisë së Shkencave, Prof. Dr. Gudar Beqiraj një nga ikonat e peshëngritjes shqiptare, drejtues të Federatës Kombëtare të Peshëngritjes dhe sportistët e Ekipit Kombëtar të Peshëngritjes.