TIRANË, 5 prill 2013- Kryeministri vendit Sali Berisha ka shfrytëzuar inaugurimin e rikonstruksionit të rrugës Shijak – Gjepalaj për të bërë deklarata politike.
Vetëm pak ditë nga dalja e LSI nga koalicioni me mazhorancën dhe bashkimin me të majtën, Numri1 i qeverisë shprehet se PD dhe e djathta shkon drejt zgjedhjeve të qershorit si shumicë dërrmuese.
“Po shkojmë drejt zgjedhjeve të 23 qershorit, e djathta dhe PD, shkojnë drejt këtyre zgjedhjeve si shumicë dërrmuese e shqiptarëve. Shkojmë drejt këtyre zgjedhjeve si forca politike të cilat integruan Shqipërinë në NATO, liberalziuam vizat. Forca politike që ngritën dhe infrastrukturën me moderne në Shqipëri, transformuam Shqipërinë rurale, ulen papunësinë, dyfishuam rrogat dhe pensionet. 4 vitet e ardhshme PD dhe e djathta do e shndërrojë Shqipërinë në vendin e zhvilluar” tha Berisha,
Kryeministri i vendit premtoi se në mandatin e tretë të PD-së , “Shqipëria do të shënojë hapa vendimtare drejt integrimit të Shqipërisë drejt BE. Ne jemi ndryshimi përpara përpara përpara”.
Projekti i rrugës Shijak – Gjepalaj, me gjatësi 6.3 kilometër, investim i buxhetit të shtetit, me vlerë 159.485.350 lekë, lidh komunën Gjepalaj me bashkinë Shijak. Rruga, e pajisur me të gjithë elementët e nevojshëm të infrastrukturës, u vjen në ndihmë 6 000 banorëve të kësaj zone, të cilët merren me bujqësi, blegtori, pemëtari, vreshtari, etj., duke iu lehtësuar atyre transportin e prodhimeve drejt tregut të Durrësit dhe më gjerë.





