TIRANE, 24 mars 2013- Aleanca Kuqezi zhvilloi Kuvendin e Tiranës në Pallatin e Kongreseve, ku kreu i saj, Kreshnik Spahiu, paraqiti programin për qeverisjen e ardhshme “kuqezi” dhe sulmoi kryeministrin Sali Berisha.
“Kemi ndërtuar strukturat dhe kemi mbështetës në të gjithë vendin. Mbështetja për AK-në ka shkaktuar frikë e tmerr për partitë e tjera”, theksoi Spahiu.
Më tej, kreu i Aleancës Kuqezi shtoi: “Disa pseudo-intelektualë na kanë krahasuar me një parti fashiste, por ne jemi të parët që kemi denoncuar shitjen e territorit të vendit. Na kanë sulmuar si nacionalistë, por ne bazohemi vetëm tek Kushtetuta. Për ne, parimi i vetëvendosjes së kombeve është një parim bazë. Nuk mund t’i lëmë fatet e kombit në duart e tradhëtarëve.”
Spahiu sulmoi kryeministrin Berisha duke thënë se duhet dënuar me burgim të përjetshëm: “Berisha duhet të dënohet për Gërdecin, 21 Janarin dhe shitjen e vendit.”





