TIRANE, 24 mars 2013- Kryesocialisti Edi Rama ka prezantuar sot një tjetër kandidate të Partisë Socialiste për qytetin e Durrësit.
Ajo është Evis Kushi dekane e fakultetit të Ekonomisë në Universitetin ‘Aleksandër Xhuvani’, të cilën Rama e prezantoi si një konkurrente të denjë për të fituar besimin e qytetarëve të Elbasanit.
Në nisje të fjalës së tij, Rama tha se programi i PS-së është i vetmi që do rilindë vendin nga kriza.
“Kemi programin më të detajuar që një forcë politike ka pasur në këto 22 vjet, kemi programin e vetëm për të nxjerrë vendin nga kriza dhe rilindjen e tij.
Njerëzit kanë mundësi të zgjedhin mes dy skuadrash, një e lodhur kukullash dhe skuadrës sonë kombëtare”, tha Rama.
Duke prezantuar kandidaten Kushi, kryesocialisti u shpreh se ajo është një arsye më e fortë që elbasanasit të votojnë skuadrën kombëtare të rilindjes.
“Sot po i japim Elbasanit një arsye më të fortë për të zgjedhur skuadrën tonë. Evis Kushi na bashkohet për të kontribuar për qytetin e saj.
Për PS e Elbasanit dhe për të gjithë ne përfshirja e saj në skuadrën tonë fituese është një vlerë më shumë e shtuar”, tha Rama.
Ndërsa kandidatja më e re gjatë fjalës së saj premtoi se do përpiqet të bëjë më shumë për qytetin e saj.
“Sot kontributi im jo vetëm për universitetin por edhe për gjithë qytetin. Më përpara i kam qëndruar larg politikës për shkak të problematikës që ajo ka, por sot e kam kuptuar që nuk duhet të tërhiqem më, duhet që me anë të alternativës së PS ne të përpiqemi të japim më shume, Unë i bashkohem kësaj partie me bindjen për fitore”, tha ajo.





