TIRANE, 23 mars 2013 – Në vijim të denoncimit të dështimeve të qeverisë dhe arsyeve pse nuk duhet të votohet Berisha, PS është ndalur sot në atë që ajo e ka cilësuar dështimin dramatik me Arsimin e Mesëm e të Lartë Profesional.

Sipas anëtares së grupit të punës për Programin, Milena Harito ky deshtim është një arsye që kryesisht të rinjtë, por edhe prindërit e tyre të mos e votojnë më Sali Berishën.

“Sot, kur na ndajnë vetëm 92 ditë nga nxjerrja në pension e Sali Berishës, duam t’u kujtojmë shqiptarëve, veçanërisht të rinjve e atyre që enden sot pa një punë e pa një profesion, një tjetër dështim të kësaj qeverie. Dështimin dramatik me Arsimin e Mesëm e të Lartë Profesional. Në fushatat e vitit 2005 dhe 2009 Sali Berisha premtoi se do të bënte çudira me këtë sektor. Premtoi fonde, investime në shkolla e laboratorë, modernizimin e kurrikulave, koordinim me kërkesat e tregut të punës e sa e sa gjëra të tjera. Sot, pas 8 vjetësh të Sali Berishës në pushtet asnjë prej këtyre premtimeve nuk është përmbushur. Përkundrazi, situata e sistemit të arsimit profesional është përkeqësuar në mënyrë dramatike”- tha ajo.

Sipas saj, vetëm diçka më pak se 12% e nxënësve ndjekin sot shkollimin profesional publik, nga 40% që pati premtuar Sali Berisha 8 vite më parë.

Ajo shtoi me tej se dështimi 8 vjeçar i Sali Berishës me arsimin profesional ka krijuar këtë situatë absurde ku të rinjtë e papunë nuk mund të punësohen në ato pak vende pune që krijohen sepse nuk zotërojnë aftësitë e duhura.

Sipas Haritos, PS, në programin e saj për arsimin profesional e sheh këtë sektor si një nga instrumentet më të rëndësishme në luftën kundër papunësisë.

/m.b. Agjencia e Lajmeve “Dyrrah”/