TIRANE, 23 mars 2013 – Lëvizja Socialiste për Integrim, partia që ka diktuar fituesin e të gjitha betejave elektorale në Shqipëri gjatë dekadës së fundit, është kthyer në një makth për kryeministrin Berisha dhe dinastinë e tij, ndërsa shihet si shpresa e fundit nga Edi Rama për të ardhur në pushtet, pas tetë viteve rraskapitëse në opozitë. Pavarësisht faktorëve të rinj politikë si Bamir Topi dhe Kreshnik Spahiu, pozicioni dhe rreshtimi i Ilir Metës pritet të përcaktojë edhe mazhorancën pas zgjedhjeve të 23 Qershorit.
Ndërkaq, pas një pauze dhe ftohje disajavore, tratativat mes Partisë Socialiste dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim për një aleancë të mundshme parazgjedhore, kanë rifilluar sërish. I vetëdijshëm se pa një aleancë me LSI pushteti për PS do mbetet thjeshtë një iluzion dhe vetëmashtrim, kryetari i opozitës shqiptare, Edi Rama, mësohet se i ka bërë një ofertë të fortë dhe përfundimtare kryetarit të Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Metës, për një koalicion parazgjedhor. Oferta, sipas burimeve, po shqyrtohet nga Ilir Meta, ndërsa ka sinjale pozitive për një koalicion të mundshëm PS-LSI, koalicion i cili do të nxirrte përfundimisht në pension politik kryeministrin Berisha.
Po sipas burimeve nga dy kampet respektive, bëhet fjalë për një formulë bashkëpunimi të propozuar nga Edi Rama, e cila parashikon që, votat e LSI të konvertohen të gjitha në mandate deputetësh. Nëse LSI do të marrë 100 mijë vota në rang kombëtar, atëherë kjo parti do të ketë mbi 10 deputetë në Parlamentin e ardhshëm. Po ashtu pushteti do të ndahet në bazë të peshës së secilës parti në rikonfigurimin e Parlamentit të ardhshëm.
Gjithsesi, detajet e mëtejshme të ofertës së Ramës, pritet të zbardhen në ditët në vijim, teksa po afron edhe fati i caktuar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve për zyrtarizimin e aleancave parazgjedhore. Më shumë se sa modalitetet e bashkëpunimit, për PS dhe LSI duket se është i rëndësishëm fakti se një koalicion mes tyre i jep fund dilemave dhe llogarive për zgjedhjeve e 23 Qershorit.
Sipas çdo llogarie, taktike dhe manovre, një aleancë PS-LSI sjell pa diskutim të majtën në puthet dhe vulos rrëzimin e Berishës. Përpos llogarive dhe negociatave të nëndheshme, kryesocialisti Rama i ka bërë thirrje publikisht Ilir Metës të braktisë qeverinë dhe t’i bashkohet frontit opozitar për rotacion politik. Ndërkaq, Rama, prej më shumë se dy vitesh, ka ndërprerë çdo sulm politik ndaj LSI.
Alarmohet Berisha
Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, ka nisur prezantimin e kandidatëve për deputetë në qarqe të ndryshme të vendit, duk konfirmuar zyrtarisht se nuk do të jetë pjesë e koalicionit të Berishës në zgjedhjet e 23 Qershorit. Nga ana tjetër, kryeministri Berisha, i informuar nga lëvizjet e aleatit të tij, po lëviz çdo gur për të mbajtur në koalicion Ilir Metën. Pas presioneve, kërcënimeve dhe lutjeve, kryeministrit ka angazhuar të gjithë ministrat për të mbajtur LSI në koalicion, si shpresa e fundit për t’u ricikluar në pushtet. Ndërkaq, Berisha i bëri thirrje publikisht Ilir Metës që të mos bashkohet me Edi Ramën, duke e quajtur këtë të fundit të pabesë dhe tradhëtar.
Rezultati i LSI, PS, dhe PD
Zgjedhjet e 2009
-LSI, 73.678 vota, 4,85 %
-Partia Socialiste 620.586 vota, 40,85 %
-Partia Demokratike 610.463 vota, 40,18 %
Zgjedhjet e 2011
-LSI, 117.707 vota, 7,49 %
-Partia Socialiste 432.823 vota 27,55 %
-Partia Demokratike 330.950 vota 21 06 %
/Gazeta "SOT"/





