Turizmi masiv tashmë është në realitet në Durrës. Askush nuk mund ta mohojë se ky turizëm tashmë përfaqësohet nga pushues që vijnë për të zënë dhoma me çmim të lirë, për të gatuar në kuzhinat familjare apo duke ngrëne suxhukë, sanduiçë e tasqebap në lokalet e rrugës së plazhit.

Natyrisht që një pjesë e turizmit të mesëm frekuentojnë aktualisht hotelet e plazhit të madh dhe zonës së Shkëmbit të Kavajës, në një kohë që turizmi elitar (nëse mund të quhet i tillë) është strehuar në ndonjë ishull hoteli me 5 apo katër yje. Ky është realiteti sipërfaqësor i sezonit të ri turistik që ka hyrë për fat me kohë të mirë dhe të favorshme, por me probleme që po kthehen në një shqetësim për suksesin e këtij sezoni. Edhe këtë verë po vihen re problemet e mos funksionimit të dusheve dhe banjove publike, mungesa e hapësirave publike apo dhe e gjërave të tjera që për turizmin shqiptar vazhdojnë të quhen luks. Nëse disa vite më parë Bashkia e Durrësit mori masa për vendosjen e rojeve bregdetare, këtë sezon duket se nuk po e vë njeri ujin në zjarr. Duket sikur çdo gjë i është lënë spontanitetit, kohës së mirë, rërës, zotit dhe fatit. Në fakt, përgjegjësitë nuk janë vetëm mbi Bashkinë, por dhe mbi pushtetin qendror. Investimi për sistemin e kanalizimit të ujërave të zeza dhe të bardha ndryshe nga sa pritej nuk u përfundua para sezonit turistik, gjë që do të thotë se dhe ky sezon do të vazhdojë me ankesat për ndotjen e ujit të detit dhe papastërtitë. Një retorikë që vazhdon prej vitesh, por që mund të ketë pasoja të rënda për turizmin.

Shenjat e para janë shfaqur. Një pjesë e turistëve po udhëtojnë drejt zonave të tjera turistike. Mjafton që të shikosh kapacitetet reale të hoteleve, për të kuptuar më mirë këtë situatë. Në fakt, ka situata tragjikomike të realitetit turistik shqiptar që të bëjnë dhe të qeshësh dhe të qash. Para ca ditësh një aksion blic i mjedisorëve, shëndetësisë, higjenës dhe strukturave të tjera konsistoi në bllokimin e disa tubacioneve me ujë të ndotur që derdheshin direkt në det në zonën e Shkëmbit të Kavajës. A e kuptoni se ku është turizmi shqiptar? Ne kapim mat tubacione nën sipërfaqen e rërës që derdhin fekalet në det, në një kohë që gjatë të gjithë vitit bëjnë promocion për afrimin e turistëve dhe garantojmë suksesin e një sezoni. Një butafori që mund të përkthehet me një term të thjeshtë. Mos respekt ndaj qytetarëve, pushuesve, vetes dhe të ardhmes së turizmit në Shqipëri. Për të mos qenë lokalist, po spostohem pak më tutje në zonën e Malit të Robit. Një territor që nuk i përket Durrësit, por qytetit të Kavajës.

Në këtë zonë të populluar me pushues nga Kosova dhe Maqedonia, mungon prej kohësh uji i pijshëm. Pushuesit e blejnë ujin dhe më pas lahen me ujin e qelbur të puseve. Ne ç‘vend të botës mund të ndodhë kjo? Në mënyrën më të papërgjegjshme ndërmarrja e ujësjellësit që varet nga Bashkia e Kavajës nuk sjell as 20 minuta ujë të pijshëm për pushuesit. Lajmi i keq nuk ishte ky. Lajmi i keq ishte se një pjesë e pushuesve kanë nisur të largohen. Lajmi i keq është që kapaciteti i dhomave të hotelave të zëna nga pushuesit është përgjysmuar dhe lokalet në këtë zonë qëndrojnë bosh, në një kohë që vite më parë duhet të zije rradhën për një tavolinë. Ky është lajmi i trishtueshëm që duhet të përkthehet në një reagim të shpejtë, para se për turizmin të jetë shumë vonë. Një shprehje e popullit thotë se duhet të mbjellësh sot që të korrësh mot. Në fakt ne po korrim sot, duke rrezikuar që të mbetemi pa gjë nesër. Uroj me gjithë shpirt të mos ndodhë kështu!