I menjëhershëm ka qenë reagimi i Kryeministrit Edi Rama lidhur me nisjen e protestës së opozitës në sheshin përballë kryeministrisë.
Rama ka shpërndarë në rrjetet sociale, videon nga momenti i drejtëpërdrejtë i mbajtjes së protestës para zyrës së tij, teksa kujton se 6 vjet më parë në këtë shesh u vranë 4 persona të pafajshëm.
Shefi i qeverisë thekson se në ndryshim nga qeveria e kaluar, tashmë jo vetëm që nuk vriten persona në bulevard nga shteti, por çdokush mund të protestojë paqësisht dhe të shprehë pakënaqësitë e tyre.
Kjo pasi për Kryeministrin Rama, rruga e ndërmarrë e reformave, është e dhimbshme, por e pandalshme.
“Vetëm 6 vjet më parë, Ziveri, Hekurani, Aleksi, Faiku u vranë nga pushkët e shtetit të kapur prej pushtetit, pikërisht në bulevardin ku në këtë moment protestohet, pa gardhe telash me gjemba dhe asnjë frikë e trysni nga shteti. Prandaj s'mund të mos jemi sot krenarë, edhe për këtë ndryshim kaq rrënjësor në rrugën tonë për të bërë shtet, ku padiskutim ka rezistencë e pakënaqësia të natyrshme.
Është padyshim një rrugë shumë e vështirë. Reformat e vërteta nuk janë aspak të lehta, madje shpesh janë operacione mjaft të dhimbshme. Por s'ka asnjë të ardhme të sigurt për vendin, shoqërinë, fëmijët tanë, pa i operuar me kurajo pjesët e kalbëzuara në vite të organizmit të shtetit. Shumica dërrmuese e shqiptarëve e kuptojnë këtë. Ata janë të vetëdijshëm edhe për vështirësitë, edhe për domosdoshmërinë e reformave.
Por s'ka dyshim se Shqipëria dhe shqiptarët e lënë 25 vjet në baltën e një tranzicioni të gjatë pa reforma, meritojnë vazhdimin me vendosmëri të tyre, e veçanërisht të reformës në drejtësi! E cila duhet zbatohet një orë e më parë duke filluar nga vettingu. Ne do të ndjekim e dëgjojmë me respekt, çdo shprehje pakënaqësie të pakicës, por nuk do të ndalemi asnjë minutë në përmbushjen e misionit tonë për të bërë shtet. Ju uroj të gjithëve një fundjavë të mbarë!”shkruan Rama.





