Një udhëzim i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve që pritet të miratohet në mbledhjen e sotme, mund t’i vështirësojë punën LIBRA-s së Ben Blushit për të kandiduar në zgjedhjet e 18 qershorit.

Ndryshe nga sa përcakton Kodi zgjedhor, udhëzimi i KQZ-së detyron partinë LIBRA, të mbledhë 5 mijë firma për t’u regjistruar si subjekt garues.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, përmes një udhëzimi që do të miratohet në mbledhjen e së enjtes, ka vendosur të bllokojë regjistrimin e Partisë LIBRA, të Ben Blushit.

Udhëzimi i Komsionit Qendror të Zgjedhjeve ndryshe nga sa kërkon Kodi Zgjedhor, ndryshon rregullat e regjistrimit të një partie të re poltike, duke e çuar LIBRA-n e Ben Blushit në kushtet kur i duhet të mbledhë 5000 firma, për të kandiduar në zgjedhjet e 18 qershorit.

Në Kod Zgjedhor sanksionohet se mbledhja e firmave është e nevojshme vetëm për partitë të cilat nuk kanë një mandat deputeti në 6 muajt e fundit në Kuvend, por udhëzimi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve kërkon që subjekti politik të zotërojë mandat në Kuvend të paktën 6 muajt e fundit nga data e paraqitjes së kërkesës për rregjistrim të listave.

Afati kur partitë politike duhet të regjistrojnë listat për deputet në KQZ është 28 prilli, çka do të thotë se Partia LIBRA e Ben Blushit, nuk plotëson afatin prej 6 muajsh, duke e detyruar që të ndjekë rrugën e mbledhjes së 5 mijë firmave.

Deputeti Ben Blushi ka reaguar për udhëzimin duke e cilësuar si pabesi dhe akt të personalizuar “Kjo është njëlloj sikur 1 qershorin ta bësh 1 prill me vendim KQZ-je”, shkruan Blushi duke theksuar se ky nuk është vendim i Komsionit Qendror të Zgjedhjve, por e e asaj që ai e quan “bandë e rilindjes”.

/OraNews/